Emiljano Vila firmos për PAS Janinën
Emiljano Vila mund të konsiderohet zyrtarisht një lojtar i PAS Janinës. Mesfushori durrsak në pronësi të Dinamos së Zagrebit, iu nënshtrua me sukses kontrollit mjekësor. Lajmin e raportoi faqja greke ionninatoday.gr, uebsajt me qendër në Janinë. Bashkë me Vilën (24 vjeç) do të nënshkruajë edhe mbrojtësi argjentinas Rodrigo Besera (27 vjeç). PAS Janina e rikthyer në Super Ligë në kampionatin grek, ka blerë gjatë merkatos verore edhe ish-mbrojtësin e Tiranës, Andi Lilën. Me skuadrën e "Ajaksit të Epirit", më parë kanë luajtur edhe Arjan Bellaj, Foto Strakosha, Ledio Pano dhe Arjan Xhumba. PAS Janina drejtohet nga trajneri belg Stefan Demol (45 vjeç), por që numëron 12 skuadra në karrierën e tij.