E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krejt mbrapsht

Në të gjitha ligat evropiane dhe botërore, rënia në një rang më të ulët garash u shkakton klubeve ulje drastike të buxhetit. Por, në Kosovë ndodh e kundërta. Klubet që bien nga liga, shumicën e rasteve harxhojnë më shumë sesa që kishin shpenzuar në Superligë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 01 korrik 2011 në ora 13:00

Në mbarë botën rënia nga elita e futbollit në një rang më të ulët garash u shkakton klubeve probleme të mëdha financiare, pasi të hyrat vjetore janë dukshëm më të vogla.

Ndërsa, në shumicën e rasteve edhe sponsorët e tyre vendosin të tërhiqen për t’u promovuar në rangun më të lartë të garave, ku edhe kryesisht është e përqendruar vëmendja e publikut - mediave, etj.

Por, në Kosovë ndodh e kundërta. Kur një klub bie nga Superliga në Ligën e Parë, drejtuesit e tyre ia dalin që të grumbullojnë më shumë para, normalisht nëse aspirojnë të rikthehen në elitë.

Trepça ’89, me përfundimin e edicionit 2008/09, kishte rënë nga Superliga. Kështu, në sezonin 2009/10 ekipi mitrovicas kishte garuar në Ligën e Parë. Menjëherë pas një viti të kaluar në atë ligë, ‘Xehetarët’ ia kishin dalë të rikthehen sërish në elitë.

Kryetari i Trepçës ‘89, Abedin Zeka, kujton se bashkë me anëtarët e tjerë të kryesisë kishin shpenzuar dukshëm më shumë në Ligën e Parë sesa që shpenzonin në skuadrën e tyre kur ajo garonte në Superligë.

“Brenda një viti kemi shpenzuar rreth 20 për qind më shumë në Ligën e Parë sesa që kishim shpenzuar një vit më herët në Superligë”, ka thënë Zeka për Express.

Ai i tregon edhe arsyet, sipas të cilave klubet domosdoshmërish duhet të shpenzojnë më shumë para në Ligën e Parë të Kosovës sesa në Superligë.

“Kualiteti në Superligë është ndoshta 50 për qind më i lartë sesa në Ligën e Parë. Mirëpo, atje infrastruktura, referimi, mikpritja e klubeve vendase për ato mysafire është ndoshta 200 për qind më e keqe sesa në Superligë. Atje, klubet vendase janë të gatshme që ta ushtrojnë edhe dhunën ndaj ekipit mysafir, pra t’i rrahin lojtarët kundërshtarë vetëm për ta fituar ndeshjen. Kjo pasi Federata nuk e kontrollon si duhet atë ligë, për t’i eliminuar ato dukuri”, deklaroi ai.

“Andaj, ne e kishim objektiv të vetëm rikthimin në Superligë dhe u desh të investojmë 20 për qind më shumë në klub sesa që kishim investuar në Superligë, duke angazhuar trajner të fortë, përforcime, rritje të pagave të lojtarëve, në mënyrë që ata të jenë të motivuar, sepse nganjëherë ekipi duhej ta mposhtte skuadrën kundërshtare bashkë me ndihmën e referëve që kishte ajo”, kujton ai.

Përvojë të njëjtë ka edhe Drita. Klubi gjilanas pasi kishte rënë nga Superliga, në Ligën e Parë kishte shpenzuar dukshëm më shumë para për ta lehtësuar rrugën e vet drejt rikthimit në elitë.

“Ajo ligë në njëfarë mënyre është e lënë pas dore nga ana e Federatës, e cila nuk i kontrollon sikur në Superligë ngjarjet atje. Duhet të hapen shumë xhepat, në mënyrë që futbollistët ta kenë më lehtë t’i përballojnë sfidat e vështira dhe të fitojnë ndeshje, edhe atëherë kur gjyqtarët vërehen qartë se janë kundër tyre, pra me ekipin kundërshtar”, pohoi trajneri i Dritës, Bekim Isufi, skuadra e të cilit sivjet u rikthye sërish në Superligë nga Liga e Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›