E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj me mendjen te Jabloneci

SHKRUAN: Jeton Selimi 02-07-2011 11:34

Asist, shtyllë dhe penallti e fituar. Ndonjëherë i bën të gjitha dhe prapë nuk arrin të shënosh, por goli i munguar nuk mund ta zbehë asfare paraqitjen e tij prej lideri të vërtetë. Padyshim, sfida e së enjtes dhe performanca e Xhafajt e kanë bindur edhe më shumë kryebashkiakun Gjika, për sforcon ekonomike të bërë për ta mbajtur goleadorin nën urdhrat e Maganit. Dhe ka bërë mirë pasi Daniel Xhafaj, ndonëse ka 35 vite mbi shpatullat e tij. Vlonjati ka qenë lideri absolut dhe kapiteni i vërtetë në fushën e lojës (ndonëse shiritin e mban Sakaj). Ka vrapuar në çdo sektor, ka besuar në çdo vertikalizim, edhe tek ata më të pamundurit (kujtojmë golin e parë ku i vodhi topin kundërshtarit pak centimetra larg vijës fundore), ka detyruar portierin kundërshtar t’i shkaktojë penallti, ndonëse në të vërtetë Danieli pak shanse kishte ta arrinte topin në momentin e penalltisë pasi e kishte shtyrë shumë përpara. Por të gjitha këto përmblidhen në dy fjalë: eksperiencë e pastër! Por vetë Xhafaj kërkon të bëjë modestin dhe ua vesh këtë fitore edhe shokëve të tjerë, pasi dihet se në fushë vrapojnë 11 vetë. “E kishim vlerësuar shumë këtë ndeshje. Shkonim në Podgoricë me bindjen se mund të sillnim me vete barazimin, por fitorja 3-1 dhe nëpërmjet një loje të mirë u tregoi të gjithëve se Flamurtari është në një formë të mirë sportive dhe se mund të shkojmë larg në këtë kompeticion”, thotë protagonisti i ndeshjes kundër malazezëve, që nuk kërkon të marrë mbi vete meritat si njeriu më i mirë në fushën e lojës. “Unë luftova për skuadrën time dhe më duket se të gjithë në fushë bëmë këtë gjë. Më vjen mirë që ndihmova në fitore, por mos harrojmë se golat nuk u shënuan rastësisht nga të tjerët dhe se nuk e mbrojtëm rastësisht rezultatin. Luajtëm si ekip dhe e nënshtruam Buduçnostin si ekip. Mos realizimi i një goli? Do të më pëlqente të kisha shënuar, por edhe kështu nuk është keq. E rëndësishme është që të fitojmë.” Me rezultatin e arritur, ndeshja e kthimit bëhet një formalitet dhe Xhafaj e di fare mirë këtë, por nuk kërkon që të merret me shumë lehtësi ndeshja e kthimit, për të shmangur ndonjë befasi nga ato të dhimbshmet. “Natyrisht që fitorja 3-1 na jep shumë qetësi, aq më tepër që është arritur në transfertë. Por nuk duhet që të ulim vigjilencën. Për të kaluar turin na duhen edhe 90 minuta, që do të thotë se puna është lënë përgjysmë”, mendon Xhafaj. Nëse Flamurtari nuk bën ndonjë të pabërë në ndeshjen e kthimit, kundërshtari në turin e dytë do të jetë Jabloneci. Skuadra çeke nuk shquhet për ndonjë historik të madh në Europë. Ata kanë marrë pjesë në tre edicione të Europa League dhe një herë në Kupën e Kupave, duke kaluar vetëm në një rast raundin e parë. Sidoqoftë, për Xhafajn, Flamurtari do të bëjë çmos që të bëjë një paraqitje të denjë, e pse jo, për të kaluar edhe kësaj radhe turin e dytë. “Jabloneci është një kundërshtar shumë më i fortë sesa Buduçnosti, megjithatë ne jemi Flamurtari dhe do të kërkojmë që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze,” e mbyll prononcimin e tij sulmuesi i skuadrës vlonjate, Daniel Xhafaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›