Ambient teatror ndryshe
Festivali është një mundësi e mirë për ta matur njëra trupë tek trupa tjetër peshën e saj teatrore dhe artistike dhe e kundërta. Po regjistrohet historia teatrore dalëngadalë edhe në këtë skaj të botës njerëzor madje mu në stom të Batllavës, afër peshkut të gjallë, që rri i gatshëm dhe soditë shfaqjet nga uji, dhe në momentin që mbaron shfaqja, ai vullnetarisht do të dalë nga uji për t’u fërguar në skarën e Adriatikut, për t’ua njomur mendjen mysafirëve të shumtë që kishin ardhur për ta ndjekur këtë ngjarje teatrore të edicionit të tretë kulturor. Ishte “Parfumeria” e Haqif Mulliqit në regjisurë të Elmaze Nurës dhe me aktorët e Akademisë së Arteve të Prishtinës, Kremtim Krasniqi dhe Astrit Geci që hapën natën e parë.
Aktorët përvjelën mëngët mbi dërrasat e kësaj kohe teatrore, e cila skenë, sikur imiton jetën e gjallë të antikitetit të largët. Shfaqja flet për dashurinë, për erën e humbur, për parfumin që dy personazhet e kësaj drame absurdi do të tentojnë ta kthejnë në shijen e tyre. Porse, dielli kishte perënduar për ta (Spajsin dhe Brutin). Ata do të përballen me terrin kur e kuptojnë se jeta dhe shpresa e tyre po venitej. Dhe ata do të tentojnë ta ngushëllojnë vetveten e tyre se sa kanë prodhuar jetë (parfum) karshi krevatit të Merit (gruas së virgjër 67 vjeçare).
Është teatër filozofik nëpërmjet së cilës do të lundrojë jeta absurde përbrenda atij pansioni psikiatrik, asaj oaze njerëzore të mbyllur, që do të hulumtojnë se si të depërtojnë përtej vetvetes, duke rrejt njëri tjetrin se e kanë shijuar jetën (seksin). Vërtetë liqeni i shkonte idesë, ta përkujtonte Alkatrazin e famshëm dhe Papillonin. Këta dy njerëz, këto dy botë mentale njerëzish, që banojnë këndej liqenit, shikojnë përtej liqenit filozofik duke besuar se atje është Meri dhe se atje është e vërteta e tyre. Një fund sa tragjik po aq dhe artistik, njëri duke tentuar me vra mikun, do të notojë në liqe për ta gjetur vdekjen reale.
Pra, teatri i absurdit do të thyhet në momentin që preket uji. Kjo ishte mrekullia që të jep mundësi teksti dhe loja regjisoriale. Aktorët janë besnik ndaj asaj që thurin, janë të ndërgjegjshëm për atë që thonë. Kanë diksion të pasur, ngjyra me elemente humori dhe figura mistike që iu përgjigjen karaktereve të tyre.
Një regjisurë e mpleksur për rreth një shkalle jete, shkallë që shfrytëzohet për ta tejkaluar ëndrrën (detin) para se t’i dorëzohen territ. Pra, një shfaqje e përshkuar nga teatri i fjalës së bukur, detaje duhani, një arkivol i vockël i vdekjes së tyre, të cilin e bartin në xhep. Ishte prezent dhe kryetari i Podujevës Agim Veliu (padroni i festivalit), i cili në hapje të festivalit lexoi fjalë inkurajuese për qytetin e tij dhe për artin teatror në veçanti. Me një darkë të begatë dhe një përkushtim të veçantë që Agron Gërguri (drejtor i festivalit) kishte bërë, u përmbyll nata e parë. Festivali ka një javë jetë ku do të performojnë trupa të ndryshme. Në shfaqje kanë luajtur: Kremtim Krasniqi dhe Astrit Geci.
Asistente e regjisë është Getoarbë Mulliqi, skenografia: Zeni Ballazhi, koreografia Haki Mulliqi, autor Haqif Mulliqi, regjia Elmaze Nura.