E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambiente të reja për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, Kumbaro: Garantojmë besimin te shërbimet publike

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Projekti për ndërtimin e ambienteve të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA) ka nisur të zbatohet si një marrëveshje e Ministrisë së Arsimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që synon reformimin dhe modernizimin e shërbimeve arsimore.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, gjatë ceremonisë në mjediset e reja të AKSHA, ku morën pjesë edhe kryetari i Bordit të AADF-së, Michael Granoff, përfaqësues të Ministirsë së Arsimit, Bordit dhe drejtues të AADF-së, vlerësoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe të investimit në një sistem shërbimesh arsimore që i përgjigjet kërkesave të kohës, duke vendosur në qendër cilësinë, transparencën dhe besimin e publikut.

“Forcimi i institucionit të AKSHA-së është një vendim fisnik për të garantuar besimin e publikut te shërbimet publike. Ne do të rikonsiderojmë portofolin e shërbimeve që ofrojmë, jo vetëm për nga larmia e shërbimeve publike, por edhe për nga cilësia. Pak vite më parë nuk imagjinonim dot që provimet e shtetit të kalonin nga letra në ekran dhe nga dyshimi në besim. Ne kemi zgjedhur ta bëjmë këtë rrugëtim me AADF-në, sepse na keni dhënë modelin e duhur”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Investimi prej 2,7 milionë dollarësh, i mbështetur nga AADF, parashikon ndërtimin e ambienteve të reja, pajisjen e tyre me infrastrukturë moderne teknologjike si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për administrimin e provimeve kombëtare dhe atyre të profesioneve të rregulluara.

“Reformimi i këtij institucioni synon të rrisë besimin tek institucionet në një kohë kur mosbesimi në përgjithësi është në rritje në të gjithë botën, në çdo fushë. Por, përmes AKSHA-s së re, testimet dhe certifikimet do të kenë garanci për vërtetësinë. Do të jemi të sigurt që një mësues apo një mjek e ka merituar vërtetë certifikimin e marr nga shteti për t’u kualifikuar për punën që bën. E kështu për çdo profesion që AKSHA jep të drejtën e ushtrimit të profesioneve” , tha Michael D. Granoff, kryetar i Bordit të AADF.

Një rol të rëndësishëm në transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore luan edhe bashkëpunimi me Qendrën e Vlerësimeve pranë Universitetit të Kembrixhit, e cila ka asistuar në analizimin e problematikave të sistemit, duke përfshirë cilësinë e testeve, përdorimin e të dhënave dhe standardet e administrimit të provimeve.

Godina e re do të ketë një sipërfaqe prej rreth 3500 m², krahasuar me 740 m² të ambienteve aktuale. Kapaciteti për zhvillimin e provimeve digjitale do të rritet nga 57 në 213 poste testimi, ndërsa hapësirat e punës do të mundësojnë zgjerimin e stafit nga 35 në rreth 90 punonjës. Ambientet e reja do të përfshijnë pesë salla për testime digjitale, pesë salla monitorimi, hapësira të dedikuara për përgatitjen dhe ruajtjen e sigurt të materialeve të provimit, si dhe salla trajnimi, ambiente mbështetëse dhe infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara. Këto përmirësime synojnë të krijojnë kushtet për një administrim më efikas dhe të sigurt të vlerësimit, duke e çuar sistemin e provimeve drejt standardeve më bashkëkohore.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›