E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: 27 persona të lënduar në protestë, jashtë rrezikut për jetën

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu  informoi mbi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së studentëve të zhvilluar sot në Tiranë, bazuar në informacionin e raportuar nga strukturat spitalore.

Në një videomesazh, Spahiu tha se “po ndjek në vijimësi situatën shëndetësore të personave të lënduar në protestën e sotme përmes strukturave spitalore. Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore”.

“Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues”, tha Spahiu.

Ministrja Spahiu u shpreh se “kujdesi shëndetësor për çdo person të lënduar ofrohet pa dallim, në përputhje me gjendjen klinike dhe nevojat mjekësore të secilit”.

Sipas saj, situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore.

“Informacioni mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara nga strukturat përkatëse”, tha ajo.

Ministrja Spahiu falënderoi ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për angazhimin dhe kujdesin e ofruar.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›