Amerika Jugore, tri në garë për dy vende
Në grupin eliminator të Amerikës Jugore, tri skuadra e kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të Kupës së Botës 2010, ndërsa tri të tjera janë në garë për dy vendet e mbetura. Brazili, Paraguai dhe Kili janë kualifikuar, duke lënë Argjentinën, Uruguain dhe Ekuadorin të përcaktojnë se cila përfaqësuese do të renditet e katërta (vend nëpërmjet të cilit sigurohet kualifikimi direkt). Ndërkohë, ekipi i kësaj zone që i mbyll eliminatoret në vendin e pestë, do të zhvillojë ndeshje "play-off" me vendin e katërt në grupin e Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibet (Concacaf), ku do të ndeshet me Kosta Rikën ose Hondurasin. Argjentina, që momentalisht mban vendin e katërt, ka 25 pikë, ndërsa pas "selesionit" të drejtuar nga Maradona vijnë Uruguai (24) dhe Ekuadori (23). Sfidat e fundit janë mjaft interesante: argjentinasit i pret transferta e vështirë në Uruguai, ndërsa Ekuadori udhëton në Kili. Në tri ndeshjet e tjera, ku rezultatet nuk janë vendimtare për ecurinë në grup, Peruja pret Bolivinë, Brazili luan me Venezuelën, ndërsa Paraguai ka përballë Kolumbinë.