Lëv beson se Gjermania mund ta fitojë Botërorin
Trajnerit i Gjermanisë, Joakim Lëv, beson se skuadra e tij është e aftë të fitojë Kupën e Botës, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Afrikën e Jugut, por ai për momentin nuk dëshiron të bëjë asnjë parashikim. "Baza e ekipit për të fituar një kupë bote është e mirë", ka bërë të ditur të martën Lëv në një prononcim të tij për të përditshmen e njohur gjermane, "Bild". "Por një gjë është e kuptueshme, që unë sot nuk mundem të bëj asnjë parashikim në lidhje me fituesin e titullit botëror në Afrikën e Jugut. E thënë në terma afatshkurtër, në lojë mund të hyjnë shumë faktorë të tjerë", shtoi më tej trajneri. Gjermania do të luajë sot në Hamburg ndaj Finlandës ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit 2010, ndërkohë që kualifikimin për në turneun prestigjioz e ka arritur falë një fitoreje të rëndësishme në Moskë të shtunën kundër Rusisë, me rezultatin 1-0. I pyetur nëse Gjermania tashmë do të shkojë për të fituar Kupën e Botës, Lëv tha: "Ky është objektivi ynë. Ne kemi treguar se jemi të aftë për t‘i bërë ballë çdo pengese, pasi jemi skuadër kompeticionesh. Në edicionin e fundit të Euro 2008 u ndalëm vetëm nga një Spanjë superiore". Lëv u shpreh se "është e natyrshme që ne të kërkojmë të fitojmë turneun e vitit të ardhshëm, por për ta arritur atë duhet të japim maksimumin. Botërori 2010 do të jetë më interesanti i të gjitha kohërave", parashikon ai. "Skuadrat afrikane janë të mira dhe mendoj se disa prej tyre mund të arrijnë deri në gjysmëfinalet e Botërorit 2010", tha në mbyllje ai.