E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme, akuza PS-së për përdorim politik të ngjarjes në Himarë



TIRANË - Ngjarja në Himarë ka sjellë përplasje mes Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Socialiste. Pas reagimit të deputetes Ermonela Felaj, mesditën e djeshme, disa orë më vonë, ka reaguar dhe Ministria e Brendshme. Gjatë një komunikimi me median, zëdhënësi i Ministrisë, Fatmir Konja, e akuzoi PS-në se po e përdor politikisht ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku një minoritar, Aristidh Guma, 35 vjeç, u qëllua qëllimisht me makinë duke i sjellë vdekjen. Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtatë të rinj nga Vlora, ndërkohë që është në kërkim personi i akuzuar drejtpërdrejt për ngjarjen, shoferi i makinës që qëlloi të riun. Pasi himarjotët e bllokuan rrugën për 15 orë, që nga mbrëmja e tri ditëve më parë, në orën 22:00 deri mesditën e së premtes, sërish në mbrëmje ka pasur bllokime. Dhjetëra persona, rreth orës 21:00, kanë shkuar në vendin ku vdiq 35-vjeçari Guma dhe e kanë bllokuar rrugën deri në orën 24:00. Sipas të dhënave, himarjotët kanë ndezur qirinj në kujtim të të riut dhe në këtë mënyrë është bllokuar sërish rruga.
Përplasja me PS-në
Ministria e Brendshme e ka dënuar dje përpjekjen e Partisë Socialiste për ta përdorur politikisht ngjarjen kriminale të ndodhur para dy ditësh në Himarë. “Edhe për këtë ngjarje, lidershipi i Partisë Socialiste nuk vonoi të vërtetojë para opinionit publik se në krye të axhendës së tij politike qëndrojnë interesa që bien ndesh me interesat e qytetarëve dhe godasin drejtpërdrejt imazhin e vendit”, - tha gjatë një konference shtypi zëdhënësi Fatmir Konja. Gjatë deklaratës, Ministria e Brendshme i ka bërë thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga frymëzimi i qëndrimeve antirend dhe antiligj dhe të shprehë mbështetjen e nevojshme për punën dhe angazhimin profesional dhe ligjor të Policisë së Shtetit. “Ministria e Brendshme vlerëson të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e treguar nga Policia e Shtetit për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes kriminale që ndodhi para dy ditësh në Himarë dhe i jep mbështetjen e plotë për të vënë para drejtësisë të gjithë autorët e përfshirë në këtë ngjarje”, - përfundoi deklaratën e tij Konja.
Bllokimi i rrugës
Pas reagimeve të ashpra të banorëve të Himarës kundër vrasjes së 35-vjeçarit, dje qyteti është gdhirë më i qetë. Qarkullimi i automjeteve vijon normalisht prej orës 24:00 të mbrëmjes kur banorët bllokuan aksin nacional duke mbushur rrugën me qirinj në kujtim të të riut. Banorët nuk kanë paralajmëruar për bllokime të tjera të aksit. Në këtë mënyrë, banorët e Himarës kanë vijuar reagimet e tyre të ashpra kundër vrasjes së 35-vjeçarit edhe mbrëmjen e dy ditëve më parë, duke bllokuar sërish aksin nacional Vlorë-Sarandë. Rruga në hyrje të Himarës u bllokua sërish rreth orës 22:00, ndërsa banorët mbushën rrugën me qirinj në nder të të riut të vrarë një natë më parë. Rruga ka qëndruar e bllokuar deri rreth mesnatës, ndërsa sot qarkullimi i automjeteve vijon normalisht. Por, ndërsa deri tani janë ndaluar vetëm personat që kanë marrë pjesë në aksidentin e qëllimshëm me vdekje, policia nuk ka bërë asnjë ndalim në lidhje me protestuesit, të cilët bllokuan rrugën dhe sollën kaos në lëvizjen Vlorë-Sarandë. Nga bllokimi i rrugës mijëra turistë e gdhinë natën në rrugë, pasi nuk lejoheshin të kalonin. Ndërkaq, Prokuroria e Vlorës ka vazhduar hetimet, ndërsa policia po bën kërkime për arrestimin e të shpallurit në kërkim, Ilir Muka.

Arrestimet nga Policia e Vlorës
Policia e Shtetit tha dy ditë më parë se ka vënë në pranga shtatë persona në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Himarë. Por, ndërsa janë vënë në pranga të rinj që dyshohet se kanë kryer krimin dhe të tjerët që e kanë ndihmuar autorin e ngjarjes që të largohet, nuk ka ndaluar asnjë person në lidhje me bllokimin e rrugës për më shumë se 13 orë dhe për bllokimin e mijëra turistëve.
Aleksandër Gjokaj, 21 vjeç, banues në Vlorë, i padënuar më parë
Bledar Meminaj, 22 vjeç, banues banues në Vlorë, i padënuar më parë
Andi Kotorri, 25 vjeç, banues në Vlorë, i padënuar më parë
Juxhin Mustafaraj, 23 vjeç, banues në Tiranë, i padënuar më parë
Dijon Bushi, 19 vjeç, banues në Vlorë, i padënuar më parë
Fabjon Jahaj, 21 vjeç, banues në Vlorë, i padënuar më parë
Endrit Salataj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i padënuar më parë
Ilir Muka, i shpallur në kërkim policor

Përplasjet për Himarën
Videoja antishqiptare, 27 mars 2010
Skandali me përmasa të papranueshme në Greqi lindi gjatë paradës së ushtrisë greke. Forcat Speciale të ushtrisë greke fyejnë rëndë shqiptarët duke kërcënuar madje me pirje gjaku. “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, - është thirrja në kor që kanë bërë në paradën zyrtare të 25 marsit 2010, jo anëtarë të ndonjë organizate ilegjitime, por pikërisht Forcat Speciale që parakaluan rreshtore në rrugët “Panepistimiu” (Rruga Universitare dhe “Agjiu Konstandinu” (Shën Konstandini).

Parullat antishqiptare, 21 prill 2008
Parulla të rënda antishqiptare të lëna në muret e gjimnazit të qytetit kanë shkaktuar provokim te disa të rinj, të cilët në mënyrë demonstrative dogjën flamurin grek. Situata provokative mes palësh çoi në ngritjen e një grupi hetimor nga policia e Sarandës për të zbardhur shkaktarët e saj. "Rroftë Greqia!", "Vdekje Shqipërisë së madhe!" apo më tej akoma "Fuck Albania!" ishin shprehjet e shënuara me bojë të zezë në muret e pasme të shkollës së mesme "Hasan Tahsini".

Kryebashkiaku falënderon greqisht, 25 shkurt 2007
Lojtarëve shqiptarë në Greqi, një fjalë e thënë në gjuhën amtare mund t’u kushtojë karrierën. Ndërsa në Shqipëri askush nuk ndalohet ta fshehë identitetin, madje edhe kur është një zyrtar i lartë shtetëror dhe me ligj i duhet të komunikojë në gjuhën zyrtare. I sapozgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano preferoi t’i falënderojë qytetarët e Himarës në gjuhën greke, edhe pse ata që e votuan ishin shqiptarë, duke shënuar në këtë mënyrë një incident.

Shkolla greke në Himarë, 20 shkurt 2006
Hapja e shkollës së parë greke, “Omiros”, në Himarë ka sjellë jo pak debate mes politikanëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të PBDNJ-së. Përurimi i shkollës u bë nga zëvendësministri grek i Arsimit dhe ai vendas, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë ende lejen për ndërtimin dhe hapjen e saj. Më shumë se një incident ishte një keqkoordinim i punës së qeverisë. Pasi vetëm në muajin maj dha lejen për ndërtimin e saj, ndërkohë që hapja u bë në muajin shkurt. Por kjo nuk i pengoi politikanët të akuzonin vendin fqinj dhe anasjelltas.

Papandreu për Himarën, Athinë 2003
Zgjedhjet në Shqipëri kanë ngritur gjithmonë temperaturën e marrëdhënieve greko-shqiptare. Në vitin 2003, në Himarë do të shënoheshin jo pak incidente mes simpatizantëve të PBDNJ-së dhe partive të tjera. Kryeministri grek, Georgios Papandreu, deklaroi për incidentet në Himarë se “Himara është një pakicë solide greke dhe duhet të konsiderohet si e tillë”. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë shkaktoi jo pak reagime në Tiranë, kur ende në Himarë dëgjoheshin thirrjet antishqiptare.
Zgjedhjet në Himarë, tetor 2000
Një nga incidentet ku kanë marrë pjesë ligjvënësit grekë është dhe ai i zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2000 në Himarë. Deputetët kanë ushtruar presion propagandistik mbi votuesit, kanë hyrë nëpër qendra votimi, kanë organizuar protesta përballë kamerave të televizionit grek, të ardhura enkas në ditën e votimit, kanë premtuar viza në këmbim të votave për kandidatin e PBDNJ-së. Shteti shqiptar reagoi duke miratuar një rezolutë për këto shkelje kushtetuese.
Ngritja e flamurit në Himarë, 23 shkurt 1997
Kur ende shteti nuk kish rënë gjatë 1997-s, në Himarë, edhe pse një zonë jo shumë e dëmtuar nga fenomeni i fajdeve, persona të panjohur ngritën në qendër të qytetit flamurin grek. Sipas raporteve të policisë së asaj kohe, flamuri ishte ngritur nga persona të paidentifikuar. Ndërkohë që shteti grek e shoqatat e minoritarëve deklaruan se nuk kishin asnjë lidhej më këtë akt, por ai është ngritur nga banorët e zonës.
Arrestimi i të pestëve, shtator 1994
Arrestimi i pesë krerëve të njohur të organizatës minoritare “OMONIA” i acaroi më tepër marrëdhëniet greko-shqiptare. Akuza që u ngrit ndaj tyre ishte për spiunazh në favor të Greqisë. Për këtë çështje ndërhyri dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ku kritikoi ashpër qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes minoritare. Gjyqi që u bë ndaj tyre bëri që marrëdhëniet mes Greqisë, Kishës Ortodokse dhe Shqipërisë të njihnin dhe periudhat më të acarta. Pas shumë presionesh të ndërkombëtarëve, Gjykata Kushtetuese i liroi ata në vitin 1995.
Plani i Micotaqisit, Athinë, 14 korrik 1993
Kryeministri grek, Kostandin Micotaqis, paraqet një plan për Jugun e Shqipërisë, të përbërë nga 6 pika. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si Epiri, të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›