Amerika rikonfirmon mbështetjen ndaj Kosovës
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka siguruar presidenten e Kosovës, Atiefete Jahjaga, se SHBA-të mbështesin pa rezervë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Presidentja Jahjaga, është takuar të mërkurën mbrëma në Uashington me sekretaren amerikane të Shtetit, Klinton, takim gjatë të cilit është nënshkruar edhe protokolli i bashkëpunimit kulturor dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Me këtë rast, Klinton konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërsa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ajo e vlerësoi si arritje dhe obligim.
SHBA mbështesin dhe përkrahin pa rezervë Kosovën e pavarur dhe demokratike, ka thënë Klinton.
Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka thënë se SHBA është dhe do të mbetet përherë miku dhe mbështetësi më i madh i Kosovës, dhe për këtë populli kosovar do ti jetë përherë mirënjohës.
Duke folur për autokolonën e ndihmave ruse, e cila është ndalur në hyrje të Kosovës nga ana e EULEX-it dhe nuk po i lejohet të hyjë në Kosovë, presidentja Jahjaga ka deklaruar se çdo herë dhe çdokund duhen respektuar normat dhe rregullat.
Edhe sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se ka informacione nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare, se në veri nuk ka asnjë lloj krize humanitare.
Gjatë qëndrimit në SHBA, presidentja Jahjaga do të zhvillojë edhe takime me zyrtarë të tjerë amerikanë.