Amerikanët nisin monitorimin e KQZ, por opozita largohet sërish
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisin mbikëqyrjen e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ashtu siç edhe i ishte premtuar opozitës, një i dërguar i përbashkët i BE-së dhe SHBA-së ka mbërritur dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në rolin e ekspertit që do të monitorojë mënyrën e drejtimit të këtij institucioni si dhe marrëdhëniet mes anëtarëve të djathtë dhe atyre së majtës. Ai është anglezi Carls Lasham, përfaqësues i USAID-it në vendin tonë dhe që në këtë rast do të përfaqësojë Ambasadën Amerikane në Tiranë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si një garant i anëtarëve të majtë për një drejtim ligjor dhe të paanshëm të këtij institucioni nga kryetari Arben Ristani.
Mbledhja
SHBA-të kanë mbajtur fjalën dhe kanë sjellë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përfaqësuesin e tyre për të monitoruar veprimtarinë e këtij komisioni deri në përfundim të zgjedhjeve të 8 Majit. Para se të niste mbledhja e djeshme, KQZ ka zhvilluar një takim prezantues me ekspertin e USAID-it, Carls Lasham, por në cilësinë e përfaqësuesit të SHBA-së, i cili do të monitorojë punën e këtij institucioni në ditët në vijim. Takimi ka zgjatur vetëm pak minuta dhe ka shërbyer që anëtarët e KQZ-së të njihen personalisht me Lasham-in, në mënyrë që të vendosin urat e bashkëpunimit për periudhën në vijim. Ndërkohë që mësohet se ditën e sotme është lënë një tjetër takim me ekspertin e USAID për të vijuar më pas me procesin e monitorimit të mbledhjeve, por edhe veprimtarisë administrative të KQZ-së. Praninë e këtij eksperti e paralajmëroi disa ditë më parë edhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu. Por ndryshe nga sa deklaroi ambasadori, punën e KQZ-së nuk do e monitorojnë dy ekspertë (Ambasadori deklaroi se do të vinin dy ekspertë, njëri amerikan dhe tjetri i BE-së), por vetëm njëri dhe ai do të jetë Carls Lasham. Lasham nuk është i vetmi që do të vëzhgojë veprimtarinë e KQZ-së, pasi prej ditësh pranë këtij institucioni janë atashuar edhe disa përfaqësues të ODIHR-it, krahas atyre të OSBE-së, të cilët ndjekin rregullisht mbledhjet e komisionit.
Debati
Por pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtarëve për të “pajtuar” anëtarët e KQZ-së dhe për të rikthyer normalitetin në këtë institucion, dje situata ka precipituar sërish në debate të forta, ku nuk kanë munguar dhe ofendimet. Shkak për debat është bërë kërkesa e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, për të emëruar dhe tre emrat e propozuar nga opozita si anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias. Megjithëse palët kishin fillimisht vullnetin për të riparuar këtë mangësi që kishte ardhur si pasojë e mungesës së anëtarëve të opozitës në këtë komision, situata ka dalë jashtë kontrollit kur përfaqësuesi i opozitës, Genci Gjonçaj, ka kërkuar llogari pse këto emërime nuk ishin bërë më parë, ndërkohë që në ditët në vijim bordi pritet të publikojë dhe raportin e parë për javën e parë të fushatës. Kësaj pyetjeje Ristani i është përgjigjur se kjo situatë ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së anëtarëve të majtë, të cilët nuk sollën emrat në kohë dhe nuk morën pjesë në mbledhje. Për shkak të këtij debati, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, është detyruar që të tërheqë propozimin, ndërsa nënkryetarja Subashi ka injoruar vijimin e debatit, duke u larguar sërish nga mbledhja.