Amerikanët nuk tërhiqen

Kjo çështje është diskutuar dhe vendosur në fund të tetorit në takimet e ministrave të jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes të aleancës së NATO-së.
Është thënë më se njëherë nga zyrtarë amerikanë se pjesëtarët e forcave të NATO-së në Kosovë ‘bashkë kanë hyrë dhe bashkë do të dalin’, dhe se tërheqja nuk bëhet në mënyrë individuale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aktualisht rreth 750 ushtarë në Kosovë, në kampin Bondsteel, por edhe në terren në veri, një forcë e përbërë kryesisht nga pjesëtarë të gardave kombëtare të shteteve amerikane, transmeton telegrafi.
Pra në këtë fazë nuk mund të flitet për një tërheqje të njëanshme të forcave amerikane nga Kosova, forca këto që përbëjnë kurrizin e sigurisë së pranisë ushtarake të KFOR-it.
Megjithatë, përderisa nuk kishte shpërthyer dhuna në veri të Kosovës, NATO kishte planifikuar shkurtimin e forcës së KFOR-it edhe për 2,500 ushtarë, mirëpo ky plan është stopuar për një kohë të pacaktuar.
Prania ushtarake amerikane në Evropë është pjesë e zotimit strategjik afatgjatë amerikanë për sigurinë evropiane dhe në këtë kontekst shihet edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë. Si pjesë e kësaj strategjie, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për integrimin e vendeve të Ballkanit në institucionet Evro-Atlantike, duke e bërë atë pjesë të bërthamës dhe sigurisë evropiane.
Këtë mbështetje amerikane për KFOR-in dhe forcat amerikane në Kosovë e ka theksuar edhe sekretarja amerikane, Hillary Clinton gjatë vizitës së saj të fundit në Evropë në tetor si dhe shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, gjenerali Craig McKinley në vizitën në Bondsteel në fund të tetorit.
S’ka asgjë zyrtare për tërheqjen e trupave amerikane
Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me lajmin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen ushtarakisht nga Republika e Kosovës. Qeveritarët arsyetohen se janë në pushime dhe se nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje.
I kontaktuar nga Kosovapress, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk ka koment për këtë çështje, pasi që gjendet në pushim dhe se nuk ka lexuar lajmet për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Me arsyetimin se deri tani nuk ka asgjë zyrtare për tërheqjen e trupave të SHBA-së, Rexhepi nuk ka dashur të flas nëse largimi i amerikanëve do të ketë reflektime edhe për sigurinë në pjesën veriore.
“S’kam koment, sepse s’ka asgjë zyrtare. Nuk lidhet ajo me veri ata i kanë planet e veta. Ne kemi dëshirë që trupat amerikan të mbeten edhe më tutje, mirëpo ata i dinë mundësitë buxhetore dhe të sigurisë. Prandaj unë nuk mund t’i komentojë veprimet e amerikanëve”, është shprehur përmes telefonit ministri Rexhepi.
Gjatë ditës disa media kanë raportuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur që të tërhiqet ushtarakisht nga Republika e Kosovës.
Thuhet se Uashingtoni ka vendosur që këtë vit të ekzekutojë shkurtime në buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes dhe kjo do të reflektojë edhe në mbylljen e disa bazave ushtarake amerikane në SHBA dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. /kosovapress/