S’ka asgjë zyrtare për tërheqjen e trupave amerikane

I kontaktuar nga Kosovapress, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk ka koment për këtë çështje, pasi që gjendet në pushim dhe se nuk ka lexuar lajmet për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Me arsyetimin se deri tani nuk ka asgjë zyrtare për tërheqjen e trupave të SHBA-së, Rexhepi nuk ka dashur të flas nëse largimi i amerikanëve do të ketë reflektime edhe për sigurinë në pjesën veriore.
“S’kam koment, sepse s’ka asgjë zyrtare. Nuk lidhet ajo me veri ata i kanë planet e veta. Ne kemi dëshirë që trupat amerikan të mbeten edhe më tutje, mirëpo ata i dinë mundësitë buxhetore dhe të sigurisë. Prandaj unë nuk mund t’i komentojë veprimet e amerikanëve”, është shprehur përmes telefonit ministri Rexhepi.
Gjatë ditës disa media kanë raportuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur që të tërhiqet ushtarakisht nga Republika e Kosovës.
Thuhet se Uashingtoni ka vendosur që këtë vit të ekzekutojë shkurtime në buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes dhe kjo do të reflektojë edhe në mbylljen e disa bazave ushtarake amerikane në SHBA dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. /kosovapress/