Personaliteti i Vitit
Ka shumë njerëz që presin me vite të tëra që një zarf i lojërave të fatit t’ua ndryshojë jetën.
Por zor të besohet se ka ndodhur deri më tash që një zarf ta ngre dikë në majën e institucioneve shtetërore të një vendi.
Pikërisht kjo besohet se ka ndodhur në fillim të prillit, kur Ambasadori amerikan, Christopher Dell ua propozoi Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit emrin e polices Atifete Jahjaga për Presidente të Kosovës.
Ato ditë, ç’është e vërteta, kishte pak opsione për ta zgjidhur atë lëmsh të madh që kishin krijuar zgjedhjet e manipuluara, rrëzimi i Behgjet Pacollit nga Presidenca dhe kriza që kishte kapluar Partinë Demokratike të Kosovës.
Më 7 prill, ajo u betua në Parlament si Presidentja e parë në historinë e shqiptarëve, duke marrë me lehtësi votat - jo vetëm të PDK’së, LDK’së dhe AKR’së - por edhe ato të AAK’së.
Në ditët e para, askush nuk e tha asnjë fjalë të keqe për të. Thjesht dhe vetëm për shkak se askush nuk e kishte dëgjuar emrin e saj. Për më tepër, edhe për faktin se kumbari i zgjedhjes së saj në krye të Shtetit ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara.
Më vonë, doli që ajo kishte në shtëpi një diplomë të paligjshme universiteti, derisa tash mësohen edhe detaje të tjera nga jeta e saj.
Presidentja e Kosovës nuk është e martuar ligjërisht me Astrit Kuçin, megjithëse ky njeri gëzon ato pak privilegje që i njihen “Zonjës së Parë të Shtetit”.
Gazeta Express sjell një biografi tjetër të Atifete Jahjagës dhe një bashkëbisedim me të afërm të saj në fshatin e lindjes, Rashkoc të Gjakovës, të cilin Presidentja nuk e ka vizituar tash e sa vjet.
Biografia zyrtare
Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit.
Prej 100 deputetëve të pranishëm, 80 votuan për Jahjagën dhe 10 votuan për kundërkandidaten e saj nga AKR’ja, Suzanë Novoberdaliu.
Në fjalën e saj inauguruese, Jahjaga tha se një nga qëllimet e saj kryesore si Presidente, është anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Europian dhe në Kombet e Bashkuara.
“Ideal i të gjithë Kosovës është anëtarësimi në BE dhe një miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara. Unë besoj dhe jam e bindur se ëndrrat tona do të bëhen realitet”, tha ajo në fjalimin e saj të parë në Parlamentin e Kosovës si Presidente.
Jahjaga ishte Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës prej shkurtit të vitit 2009 deri në zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës, më 7 prill 2011.
Menjëherë pas luftës, ajo shërbeu si përkthyese për policët ndërkombëtarë. Ndërsa me themelimin e Policisë së Kosovës, në fillim të vitit 2000, ajo shërbeu si police, duke përparuar në nivel rajonal dhe në atë të Shtabit të Përgjithshëm.
Presidentja Jahjaga e kreu shkollën fillore dhe Gjimnazin në Prishtinë, ku gjithashtu i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000.
Ka përfunduar Certifikimin Postdiplomik në Menaxhimin Policor dhe të Drejtën Penale në Universitetin e Leicesterit në Mbretërinë e Bashkuar më 2007, si dhe certifikimin postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginias në SHBA, po të njëjtin vit.
Jahjaga po ashtu ka ndjekur edhe disa programe profesionale për studime në fushën e sigurisë në Qendrën Europiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”, në Gjermani, në Akademinë Nacionale të FBI’së dhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
Ndërkohë që aktualisht e para e Shtetit është duke vazhduar studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Postin e Zëvendësdrejtorit të PK’së e mbajti deri në vitin 2010. Ndërsa në shërbimet e saj si police, mbahet mend një fotografi e saj me ish-Presidentin e SHBA’së, George W. Bush.
Si duket, Presidentja ka pasur gjithmonë përkrahje ndërkombëtare për ndonjë post politik.
Mirëpo, jo të gjithë qytetarët e dinë se kush është femra e cila do të hyjë në histori si Presidentja e parë shqiptare.
Atifete Jahjaga është lindur më 20 prill të 1975 në fshatin Rashkoc të komunës së Gjakovës.
Banon në Prishtinë në një banesë jo shumë të madhe në lagjen Bregu i Diellit.
Madje ende paguan qira, edhe pse njihet si udhëheqësja më e paguar në Kosovë, me një pagë mujore prej 2 mijë e 837 euro.
Është e martuar me stomatologun Astrit Kuçi nga Suhareka, tash e pesë vjet, mirëpo nuk kanë ende fëmijë.
Jahjaga ka një vëlla, Astrit Jahjagën, i cili po ashtu është stomatolog me profesion, si dhe dy prindërit, Ibrahimin dhe Gjylën. Ashtu si duket edhe ne ekran, e butë dhe me një natyrë familjare, është edhe në jetën e përditshme. Vetëm disa metra përballë ndërtesës ku banon Jahjaga, banojnë edhe prindërit e saj.
E, Presidentja e ka në qejf nipin e saj, djalin e vëllait.
“Nipi ma freskon jetën dhe më mbush me energji”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për karrierën e saj të re prej Presidenteje, Jahjaga pati deklaruar për një revistë mujore se mund ta bëjë shumë mirë ndarjen në mes të profesionit dhe familjes.
“Këto të dyja janë të ndara, secila e ka vendin e vet dhe përkushtimin e vet”, ka deklaruar ajo.
Mirëpo, kohëve të fundit është parë që kjo realisht nuk ka ndodhur atëherë kur është fjala për pozitat e mira.
Ditë më parë, në media ka dalë lajmi se bashkëshorti i saj, Astrit Kuçi është përzgjedhur asistent në Fakultetin e Mjekësisë, në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas burimeve, Kuçi kishte konkurruar disa vjet me radhë për këtë post, por vetëm tani, kur gruaja i ka ardhur në pushtet, ka arritur ta realizojë ëndrrën e tij.
Statuti i UP’së përcakton që “asistent i ri” në Fakultetin e Mjekësisë s’mund të bëhesh nëse ke kaluar të 30’at. E kjo normë nuk ka vlejtur për bashkëshortin e Presidentes Jahjaga. Astrit Kuçi ka 36 vjet dhe ka marrë recension pozitiv për t’u bërë “asistent i ri” në Degën e Stomatologjisë.
E, për të mos pritur përfundimin e gjithë procedurës, UP’ja e ka angazhuar tashmë në mësimdhënie.
“Kuçi nuk i plotëson kriteret e parapara me Statutin e UP’së për ta marrë thirrjen ‘asistent i ri’. Ai është 36 vjeç. Ndërkaq, në konkurrencë me 11 kandidatët e tjerë për këtë thirrje akademike, është i treti nga fundi sa i takon edhe lartësisë së notës mesatare”, patën deklaruar burime brenda UP’së.
Martesa e pakurorëzuar
Në krejt botën, është rregull i pashkruar që funksionarët e lartë të jenë “familje model”.
Por kjo nuk mund të thuhet edhe për Presidenten e Kosovës.
Burime të Expressit thonë se ajo nuk ka kurorë me burrin e saj, Astrit Kuçi.
Siç dihet, publikisht, Presidentja prezantohet me mbiemrin e vajzërisë, Jahjaga.
“Ata të dy nuk kanë kurorë. Nuk kanë pasur se si me u kurorëzue për shkaqe personale të Kuçit, të cilat nuk dua t’i them për opinion... Ligjërisht nuk janë burrë e grua”, thotë një i afërt i Presidentes, në kushte anonimiteti për Express.
Por kjo nuk e ka penguar Astrit Kuçin që t’i gëzojë ato privilegje që i takojnë me ligj bashkëshortit të Presidentes.
Express mëson se Kuçi është pajisur me pasaportë diplomatike, ndërkohë që gjatë muajve të verës, ai ka marrë pjesë edhe në një takim zyrtar që Presidentja Jahjaga kishte në Vlorë me homologun e saj shqiptar, Bamir Topi.
Në Ligjin për Protokollin e Shtetit përcaktohen kompetencat dhe funksioni i “Zonjës së Parë”. Aty nuk flitet për “Zotërinë e Parë”, por nënkuptohet se në rastin e Astrit Kuçit, po të kishte kurorë me Atifete Jahjagën, do të mund t’i gëzonte privilegjet e “Zonjës së Parë”.
“Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës paraqitet i pashoqëruar. Në ceremonitë festive kur udhëton jashtë kryeqytetit ose jashtë shtetit, Presidenti i Republikës mund të shoqërohet nga një person tjetër të familjes, sipas dëshirës, por jo në rangun e Zonjës së Parë. Shoqëruesi i Presidentit gëzon në të gjitha rastet të drejtën e një protokolli të veçantë”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 22.
Express ka kontaktuar me zyrtarë të lartë në disa komuna të Kosovës për të verifikuar nëse ata të dy kanë kurorë apo jo.
Natyrisht që të gjithë të kontaktuarit kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të frikës për të dhënë një informatë të tillë.
Në Komunën e Prishtinës, një punonjës i Ofiçarisë ka thënë se Jahjaga dhe Kuçi nuk figurojnë askund si të kurorëzuar.
“I kam kontrolluar të gjithë regjistrat, por ata të dy nuk figurojnë askund si të kurorëzuar”, ka thënë zyrtari komunal.
Ai ka shpjeguar se pas luftës, banorët kosovarë mund të kurorëzohen vetëm në komunat ku janë banorë të përhershëm.
“Jahjaga dhe Kuçi janë banorë të Prishtinës, por këtu nuk i kemi të evidentuar si të martuar ligjërisht”, shtoi zyrtari.
Njëjtë si ky janë përgjigjur edhe në Suharekë, nga vjen Astrit Kuçi.
“Jo, jo askund nuk janë... S’di çka koka puna, po ata qysh po doket, nuk paskan kurorë”, tha zyrtari komunal në Suharekë.
Express ka tentuar që të flasë personalisht me Astrit Kuçin, por ky nuk ka pranuar të deklarohet.
“Nuk ma lejon Protokolli i Shtetit”, ishte përgjigja e Kuçit, për Express.
Presidenca, po ashtu, nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.
“Po, e kemi marrë pyetjen tuaj dhe e kemi delegu atje ku duhet. Sapo të marrim përgjigje, ne si Zyrë e Informimit do t’ua delegojmë përgjigjen juve”, ka thënë Safet Zejnullahu për Express.
Por, as pas disa ditësh, Presidenca nuk ka kthyer përgjigje.
Për shumëkënd kjo nuk do të ishte hera e parë që Presidentja heziton të bëjë publike diçka nga jeta e saj private, që tashme nuk mund të mbetet mister për shkak të postit që mban.
Rrënjët e Atifetes
Vetëm pas tetë muajve kur është vendosur në pushtet, Presidentja Atifete Jahjaga ka folur për prejardhjen e saj.
“Rrjedh nga një familje e anës së Gjakovës, të njohur si Agë e Rashkocit”, pati thënë ajo për revistën “Teuta”.
“Është familje e njohur për traditë dhe mikpritje. Është familje patriotike dhe antikomuniste, që gjithmonë ndër breza ka prezantuar vlera dhe traditë të mirëfilltë”, ka thënë Jahjaga.
Por, ky publikim kaq i vonshëm, të cilin ua ka bërë Jahjaga të parëve të saj, i ka lënë të zhgënjyer Agët e Rashkocit.
Express ka vizituar vendlindjen e Presidentes, për të kuptuar si ndihet farefisi kur e bija e tyre është ajo e cila e udhëheq Shtetin e tyre.
Dushk dhe baltë.
Këto të dyja i gjen tek përshkon rrugën e fshatit Rashkoc të Gjakovës. Vetëm disa metra pasi kalon rrugën e asfaltuar të fshatit Cërmjan, një kthesë e vogël të shpie në thellësi të Rashkocit, i cili nga larg duket të mos ketë më shumë se dy-tri shtëpi.
Krejt në zemër të Rashkocit, gjendet një shtëpi e vjetër me tulla të kuqe. Një shtëpi dykatëshe me një palë shkallë, të cilat nga jashtë shpien deri te një dhomë, për derën e së cilës thuhet se nuk është hapur për njëzet e pesë vjet. Është dera e dhomës së Atifete Jahjagës, Presidentes së Shtetit.
“Aty, pikërisht në atë dhomë ka lindë Atifeti”, rrëfen mëndesha e saj, 62-vjeçarja Gjyhene Jahjaga.
Ajo e kujton Atifeten Jahjagën me plot krenari, si një fëmijë të urtë dhe të sjellshëm.
“Gjithmonë ka qenë e butë siç është tash. Fëmijë ma të edukum nuk ka pasë në Rashkoc”, thotë Gjyhenja.
Rashkoci është njëri ndër fshatrat më të vjetra të Gjakovës.
I njohur për një traditë pleqnarësh të cilën e kishte filluar dhe vazhdon ta kultivojë familja e Agëve të Rashkocit.
“Ajo është vajza e Brahim Bajram Agës nga fshati Rashkoc i Gjakovës dhe se ajo rrjedh nga familja e Agës se Rashkovcit, familje me emër në Malësinë e Gjakovës”, thonë disa bashkëfshatarët e saj nga Rashkoci, tek flasin me mburrje për Jahjagën.
“Presidenten e kena kushërinë... Po, po kushërina jonë është ajo...”, thonë më krenari.
Menjëherë afër shtëpisë së vjetër të Presidentes, gjendet Oda e Rashkocit. Oda e pleqnarit Osman Agë Rashkoci, kushëri i Presidentes Jahjaga.
Osman Aga flet me mburrje për traditën 100-vjeçare të familjes së Rashkocëve për pleqnitë dhe patriotizmin.
“Kjo familje e ka prejardhjen nga fshati Tetaj (Rrucaj) i krahinës Nikaj Mërtur (komuna Lekbibaj) të Tropojës. Në Bajram Curr përflitet se gjyshi i Atifetes ka zbritur nga malësia në fillimin e shekullit të kaluar, në vitet 1910-1912 duke u vendosur si shumë familje të tjera nga kjo krahinë, në rrethinat e Gjakovës, për arsye hasmërie”, rrëfen ai.
Osman Aga numëron 21 shtëpi të familjes së tij në këtë fshat, në të cilin dominojnë si fis.
“Të parët tanë kanë ardhë prej Tropoje se atje kanë pasë hasmëri, kanë qenë edhe të përndjekur nga pushteti i atëhershëm komunist. Për ata kanë ardhë këtu”, rrëfen ai.
Osman Aga, një burrë mbi të tridhjetat, shpjegon për Express se familja e tij është njëra ndër tri familjet kosovare që kanë fituar nderin për të pleqnuar gjaqet.
Osmani me kënaqësi flet edhe për mbesën, Atifeten.
Ai rrëfen për natën e 7 prillit, kur ajo u zgjodh Presidente.
“Atë natë kemi dalë në Cërmjan se nuk ka pas rrymë, kemi ndezë zjarr e kemi festu me tupana. Na ka krenu të gjithëve”, thotë ai.
Por befas ndalon dhe ul kokën e sytë.
Mendohet, pastaj kthen prapë shikimin nga ne dhe vazhdon.
“...Unë kur pleqnoj gjaqe, menoj mirë qysh po i pleqnoj”, vazhdon rrëfimin. “...Tutna që po më zën nema e të parëve, nëse boj diçka gabim, se varri i tyne mundet mem nem... e nuk du m’i zhgënjy... Atifetja mu m’ka zhgënjy pak”, shprehet ai.
“Kam dashtë me shku personalisht te baba i Atifetit edhe me vet a e ke mësu çiken naj sen, a i ke kallxu kah i ka rranjët se nuk bon ashtu me dalë edhe kurrë mos me e përmen familjen e vet”, thotë pleqnari i Rashkocit.
Por, prapë mundohet ta arsyetojë këtë me faktin se Jahjaga ka qenë e re kur ka dalë nga fshati i saj.
“Ajo u kon e re kur ka dalë, po u dashtë me i kallxu ata.... Po na ka dëshpëru, qe sa asht Presidente, edhe qe, sen s’ka folë për ne, na nuk jena familje për mos me u mburrë me ne apo me i ardhë marre prej neve”, vazhdoi ai.
Më tej ai thotë se as në dasmën e saj nuk kanë qenë të ftuar.
“Nuk na patën ftuar. Ndoshta për të njëjtën arsye, pse s’na kanë përmendë kurrë”, shtoi ai.
“Njëherë kish pas thanë se ka lindë në Gjakovë. Ajo as në spitalin e Gjakovës nuk ka lindë, por në dhomën e shpisë së saj të vjetër”, shfryen dëshpërimin Aga.