E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikanët, zi në ditën më të përgjakshme në Afganistan

16 amerikanë kanë humbur jetën në një seri përplasjesh me helikopterë dhe sulmeve nga talebanët gjatë 24 orëve që janë konsideruar si më vdekjeprurëse që nga hyrja e forcave amerikane në Afganistan në vitin 2001. Dhjetë persona janë vrarë dhe 26 të tjerë janë plagosur kur një helikopter transporti "Chinook" është përplasur në perëndim të Afganistanit gjatë një shkëmbimi zjarri me kryengritësit. Në jug të vendit, 4 ushtarë u vranë dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë kur dy helikopterë janë përplasur në ajër. Në lindje, ndërkohë, një ushtar u vra në një shpërthim dhe një i dytë vdiq nga plagët. Kolonel Wayne Shanks, zëdhënës i ushtrisë amerikane deklaroi se humbje të tilla të rënda dhe këto tragjedi të veçuara janë tregues i rrezikut me të cilin përballen forcat amerikane çdo ditë në një terren shumë të vështirë si Afganistani. Për sa i përket helikopterit kargo, ai u shemb përdhe pas një shkëmbimi të ashpër zjarri menjëherë pas mesnatës të së dielës Forca e Operacioneve Speciale u mbështet nga një skuadër e komandove dhe civilëve afganë. "Shtatë anëtarë shërbimi të amerikanëve dhe tre civilë amerikanë u vranë", bëri të ditur dje një zëdhënës ushtarak. Ndërkaq, janë vrarë edhe shumë punonjës vendas që ishin angazhuar me trupat vendase. Trupat elitë amerikane kryen një sulm ajror kundër një vendndodhjeje të talebanëve në një lagje të rrethit të Darpumit. Ata mendonin se aty ndodheshin kryengritës që kishin lidhje me tregtarët e opiumit. Gjatë sulmit u vranë shumë luftëtarë në shkëmbimin e zjarrit, por më në fund duket se edhe talebanët kanë kundërsulmuar. Ata kanë marrë menjëherë përsipër goditjet ndaj helikopterit. Forcat e NATO-s bënë të ditur se ndërkohë po hetohet në lidhje me shkaqet e tragjedive të trupave amerikane. Këto ngjarje shumë të ndera ndodhin ndërsa administrata e Obamës po mëdyshjet për të dërguar ose jo trupa shtesë në Afganistan për të shporrur talebanët. Ndërkaq, edhe qeveria afgane po përgatitet për raundin e dytë të votimeve që do të zhvillohet më 7 nëntor dhe që do të vërë përballë njëri-tjetrit dy kundërshtarë të fortë, Presidentin aktual, Karzai, dhe rivalin e tij, Abdullah Abdullah, ish-ministrin e Jashtëm që arriti të bindte komunitetin ndërkombëtar që vota ishte vjedhur në masë e si pasojë dihej edhe një tjetër raund votimesh për të dhënë një rezultat sa më të drejtë të zgjedhjeve presidenciale. Administrata e Obamës po pret që të bashkëpunojë menjëherë me administratën e re që do të dalë nga zgjedhjet e 7 nëntorit. Për sa i përket situatës, ajo si gjithmonë përkeqësohet në prag të votimeve. Edhe para raundit të parë të tyre të zhvilluar në fund të gushtit situata u rëndua dukshëm. Për sa u përket humbjeve të amerikanëve në korrik të vitit 2006 16 amerikanë të forcave speciale humbën jetën në krahinën lindore të Kunarit. Ato ndodheshin në një helikopter që u godit dhe u përplas. Pas këtij sulmi, dita e djeshme konsiderohet si më e përgjakshmja që nga fillimi i luftës në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›