E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të shiten tokat në bregdet

Çdo posedues i tokave të dhëna me qira nga shteti shqiptar tani ka të drejtë që ta blejë atë ose të bëhet pronar i saj. Ky është thelbi i projektligjit të miratuar dje në parim nga anëtarët e komisionit të ligjeve. Bëhet fjalë për tokën e dhënë me qira nga ana e shtetit shqiptar, mbi të cilën sot janë ndërtuar jo vetëm objekte që i japin përparësi zhvillimit të turizmit, por edhe shtëpi e vila. Sipas këtij projektligji, personat që kanë një kontrate qiraje, apo në zhvillim përfitojnë të drejtën e pronësisë së truallit dhe objektit të ndërtuar. Ndërkohë, trualli përqark ndërtesës kalon në bashkëpronësi mes privatit dhe shtetit. Ligji parashikon që pas njoftimit publik në një afat kohor prej 60 ditësh, personi që kërkon pronësinë e objektit duhet të bëjë dorëzimin e dokumentacionit përkatës. Më tej, procedurat ndiqen nga Agjencia e Legalizimit, ALUIZNI, e cila vendos kontratën e shitblerjes ndërmjet palëve të interesuara. Në projektligj thuhet se kontrata nuk lidhet nëse nuk bëhet pagesa e plotë e çmimit të truallit të ndërtesës, e cila paguhet në masën 80% nga blerësi dhe 20% nga qiramarrësi. Nëse nuk paguhet shuma e përcaktuar brenda afatit maksimal të përcaktuar, 1 vit pas njoftimit zyrtar, kontrata nuk lidhet dhe ky truall e ndërtimet mbi të kalojnë për kompensimin e ish-pronarëve.

Projektligji është kundërshtuar më parë nga ish-pronarët, pasi sipas tyre anashkalon procesin e kompensimit apo kthimit të pronave, por nga ana tjetër hartuesit e ligjit këmbëngulin se të ardhurat nga blerja e këtyre pronave do të përdoren pikërisht për ish-pronarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›