E Diel, 1 Nëntor 2026

Amfiteatri i Durrësit, 33 mijë vizitorë në 8 muaj. Muzeu Arkeologjik rikthehet në itineraret kulturore të qytetit

Trashëgimia arkeologjike vijon të mbajë gjallë interesin e vizitorëve në Durrës edhe pas kulmit të sezonit turistik. Shifrat e tetë muajve të parë të vitit tregojnë një interes në rritje për monumentet dhe muzetë e qytetit. Nga janari deri në gusht, Amfiteatri Antik i Durrësit është vizituar nga 33 mijë e 513 persona, duke u renditur në krye të siteve arkeologjike më të frekuentuara. Pas tij vjen Kulla Veneciane, e cila gjatë së njëjtës periudhë ka regjistruar 6 mijë e 107 vizitorë.

“Kemi pasur një rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe. Ne, nga viti në vit, na shtohen vizitorët dhe rritet dhe numri i vizitorëve”, tha Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës.

Pas rikonstruksionit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka zgjeruar ofertën kulturore të qytetit, duke sjellë një tjetër mundësi për të njohur historinë dhe trashëgiminë e tij.

Dhe interesi për këto destinacione nuk pritet të zbehet me mbylljen e sezonit veror. Vjeshta sjell një tjetër fluks vizitorësh, vendas dhe të huaj, të cilët vijojnë të përfshijnë monumentet, muzetë dhe sitet arkeologjike në itineraret e tyre në Durrës.

Gazetare: N. Spahiu   

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›