Atentati në Rrilë- Pushohen akuzat ndaj të dyshuarve. Gjykata e Lezhës pranon kërkesën e Prokurorisë: Nuk ka prova

Gjykata e Lezhës ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tre personave të dyshuar për përplasjen me armë zjarri në Rrilë, ku mbeti i plagosur Agron Puka.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e procedimit penal ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kola (Ndreca).
Ngjarja për të cilën ata ishin nën hetim ka ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024, para shkollës 9-vjeçare në fshatin Rrilë të Lezhës, ku gjatë përplasjes me armë zjarri mbeti i plagosur Agron Puka.
Tre shtetasit ishin proceduar dhe shpallur në kërkim, ndërsa Prokuroria e Lezhës kishte ngritur ndaj tyre akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Por pas hetimeve të kryera nga prokurorja e çështjes, Irena Sufaj, Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë siguruar prova që implikojnë Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kola (Ndreca) në ngjarje.
Për këtë arsye, drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushimin e çështjes dhe shuarjen e masave të sigurimit personal të vendosura ndaj tre personave.
/rtsh.al/