E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten bizhuteri floriri dhe 3500 euro në një banesë, tre persona në pranga për vjedhje në Patos

Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Fierit, pasi dyshohen se janë të përfshirë në disa raste vjedhjesh në territorin e Patosit.

Në pranga ranë shtetasit F. Gj., 43 vjeç, banues në Gjirokastër, D. A., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe I. I., 41 vjeç, banues në Tepelenë.

Tre të arrestuarit u kapën në qendër të Patosit, teksa lëviznin me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në posedim të shtetasit F. Gj. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së D. A., u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi cannabis sativa.

Nga hetimet ka rezultuar se në datat 5 dhe 6 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas të Patosit, tre shtetasit dyshohet se kanë vjedhur dy banesa. Sipas policisë, prej tyre janë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro dhe dy telefona celularë.

Gjithashtu, më 9 shtator, ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin dy banesa në fshatin Zharrëz të Patosit.

Policia, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të tre personave, si dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve ku mund të jenë përfshirë në qarqet Fier dhe Gjirokastër.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›