Amnesty International publikon raportin për Azerbajxhanin
Në një raport të ri, “Amnesty International”, i bën thirrje ndërkombëtarëve të mos harrojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan.
Ky raport, vë në pah se në Azerbajxhan aktivistë të rinj dhe pjesëtarë të opozitës janë burgosur mbi akuza të sajuara, ndërsa gazetarët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut janë kërcënuar që kur protestat shpërthyen në muajin mars.
“Amnesty International” ka deklaruar se 17 persona të cilët janë dënuar gjatë kohës së protestave duhet të konsiderohen “të burgosur të ndërgjegjes”, dhe ka bërë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm.
Grupi me seli në Londër, thotë se qindra persona u mblodhën në rrugët e kryeqytetit Baku, në mars dhe prill të këtij viti duke kërkuar reformat demokratike dhe respekt më të madh për të drejtat e njeriut.
Ky grup thotë se autoritetet e Azerbajxhanit u përgjigjën duke ndaluar protestat, si dhe duke kërcënuar dhe arrestuar aktivistët.