Amnesty International, shuplakë Shqipërisë për dhunën në familje, grevën e të përndjekurve dhe 21 janarin
Organizata e njohur në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka publikuar raportin e përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se vazhdon gjyqi për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Për këtë çështje është dënuar me 15 burg Ilir Kumbaro, që është arratisur nga Britania në vitin 2011, kurse dy të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm në bazë të një amnistie të vitit 1997. Çështja është në apel.
Në seksionin e vrasjeve të paligjshme trajtohet 21 janari. Në këtë pjesë thuhet se ka nisur në maj gjyqi ndaj ish- komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe ish- gardistit Agim Llupo. Në këtë seksion nuk thuhet se gjyqi ka përfunduar.
Ne si organizatë akoma vazhdojmë të mendojmë se ky nuk duhet të jetë fundi i një incidenti të tillë. U vranë katër persona dhe nuk besojmë se gjyqi i majit jep drejtësinë e duhur, shprehet për Zërin e Amerikës, Jezerca Tigani, Zëvendësdrejtore e Programit për Europën dhe Azinë Qendrore në organizatë.
Sa i përket seksionit të keqtrajtimeve dhe torturës theksohet se Ministria e Brendshme nuk i heton siç duhet akuzat për keqtrajtim nga oficerët e policisë.
Në këtë seksion trajtohet edhe greva e urisë e ish- të përndjekurve. Gjatë protestës që zgjati 31 ditë, dy grevistë i vunë flakën vetes, njëri prej tyre vdiq nga plagët në nëntor. Avokati i Popullit i konsideroi veprimet e policisë së Tiranës, që u mohoi mjekimet dhe lëngjet grevistëve si një akt torture, thuhet në raport.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet dhunës në familje, duke theksuar se plot 2526 incidente të tilla janë regjistruar në një vit. Edhe pse është miratuar një amendim në Kodin Penal ku thuhet se dhuna në familje dënohet deri në pesë vite, raporti thekson se për krime të tilla janë dhënë dënime minimale.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Viktimat e Dhunës në Familje është shkarkuar në maj pasi Avokati i Popullit hetoi akuzat nga gratë e qendrës, të cilat ankoheshin se ishin viktimë e dhunës dhe kufizimeve arbitrare, thuhet në raport.
Zëvendësdrejtorja e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani thotë se një shqetësim tjetër i madh në raport është vazhdimi i diskriminimit të komunitetit rom.
Ka pasur disa raste vitin e kaluar kur komuniteti rom është larguar me forcë nga tendat e tyre dhe u është dashur të gjejnë mënyra të tjera, apo të sajojnë strehime të tjera ku janë zhvendosur familjet e tyre dhe disa nga këto zhvendosje kanë ndodhur gjatë temperaturave të ulëta të dimrit dhe qeveria ka marrë shumë pak masa për të akomoduar në një farë mënyre këtë komunitet.
Zonja Tigani përmend gjithashtu diskriminimin ndaj komunitetit gay në Shqipëri, një problematikë që thotë ajo nuk është shumë e njohur në Shqipëri, por që duhet trajtuar më shumë. Ajo thotë se: Parada e parë për të drejtat e këtij grupi në Tiranë vitin e kaluar ishte një hap i rëndësishëm. Shpresojmë që këtë vit përsëri parada e Tiranës të zhvillohet.
Në raportin e Amnesty International ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen dhe nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër janë torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe stacione policie.
Është një fatkeqësi që akoma raste të tilla torture dhe keqtrajtimi, akoma ndodhin në Shqipëri./ep