E bija e Dritan Hoxhës shkruan një letër në 5- vjetorin e të atit: Një mesazh babait tim
Sara Hoxha, e bija e themeluesit të Top Media, Dritan Hoxha, rikthehet në kujtimet e pesë viteve më parë përmes një letre të botuar në Shqip.
Ia kam ngulur sytë këtij dokumenti të zbrazët prej disa çastesh, pa e ditur se çfarë të shkruaj. Jo sepse nuk kam asgjë për të thënë, por sepse kam shumë.
Mund të shkruaj për orë e orë, por një gjë është e sigurt, asgjë nga këto që them e shkruaj, nuk mund të jetë e mjaftueshme për të përshkruar dashurinë që kam për ty.
Teksa filloj të shkruaj, ndjej lotët që më rrëshqasin faqeve
Është kjo periudhë e vitit përsëri. Dita kur koha duket sikur ngrin dhe e gjithë bota ime vërtitet rreth një çështjeje. Dita kur fytyrat bëhen të padallueshme dhe asgjë nuk më duket se më intereson, përveç kujtimit për ty. Gjithçka bëhet e turbullt dhe kujtimet vijnë e përmbytin jetën time.
Fytyrës i jap një pamje të guximshme dhe kokën e mbaj lart, ashtu siç ti më ke mësuar. Kjo është vetëm një maskë që unë vë, ndërsa brenda zemra më dhemb dhe mushkëritë ngadalë ngushtohen.
Të gjithë thonë se do të bëhet më e lehtë, të gjithë thonë do ta kalosh. Ndoshta është e vërtetë. Gjithçka që di është se zemra akoma më dhemb si pesë vite më parë.
Ndonëse sot është dita kur ti shkove dhe një komb i tërë të kujton këtë ditë, unë të kujtoj ty gjithë kohës. Asnjë ditë nuk kalon pa të pasur ty në mendimet e mia.
Unë nuk jam besimtare fetare, por unë besoj te ti. Unë besoj se prej ndokund ti kujdesesh për ne, kudo që ky vend të jetë. Sot unë besoj se do të kem gjithnjë një engjëll në krahun tim.
Do të doja të të falenderoja. Do të doja të të thosha faleminderit për gjithçka që kam dhe gjithçka që jam. Do të doja të falenderoja që më dhe jetën. Falë teje jam kjo që jam. E mira dhe e keqja.
Faleminderit për familjen time të bukur. Ti më ke dhënë dy mikesha të mira dhe një vëlla në sytë e të cilit pasqyrohesh ti. Dua të të falenderoj që më mësove kuptimin e të jetuarit plotësisht.
Duke të parë ty, unë kam mësuar si të jem e sjellshme dhe e dhembshur kur është me vend, por në të njëjtën kohë të jem e rreptë dhe e fortë kur duhet.
Duke qenë ai që ishe, ti më mësove të jetoja çdo çast si të fundit. Ti më mësove se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrat.
Ti më frymëzove të jem vetvetja. Ka shumë gjëra për të cilat të jam mirënjohëse, por besoj se mund të tregoj gjithçka që kam mësuar prej teje duke ndjekur hapat e tu dhe duke e bërë vetë emrin tim.
Teksa të gjithë vajtojnë për ty sot, trashëgimia jote akoma jeton. Miliona shqiptarë në të gjithë botë e ndjekin Top Channel çdo ditë për gjithçka që dëshirojnë. Qoftë për të qëndruar të informuar me lajmet e vendit apo për të parë se kush i fitoi 100 milionët e të martës në mbrëmje, atje ka gjithnjë diçka të re.
Shpresoj që kur të gjithë të shohim Top Channel, të dëgjojmë Top Albania Radio, të kalojmë kanalet e Digitalb apo të lexojmë këtë gazetë të enjten, unë vërtet shpresoj se të gjithë ne do të kujtojmë burrin që është përgjegjës për të gjithë këtë. Burrin që jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen duhet ti jenë mirënjohës.
Ashtu si Benjamin Franklin shkroi dikur: Nëse nuk do të harrohesh sapo ke vdekur apo je tretur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për tu lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për tu shkruar.
Ti ishe ky i dyti. Unë jam vajza më krenare që të kam ty si baba dhe shpresa ime e vetme është që kudo që të jesh, një ditë edhe ti të bëhesh krenar për mua gjithashtu.