E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnisti pas burgut, por pa skivaninë e shkrimtarit

Autori i Lajmit: red.
Lindi në Pogradec më 1907 ku kaloi dhe vitet e fëmirisë. Studimet e larta i kreu në Bukuresht ku në vitin 1934 u dipllomua në shkencat ekonomike. Në fakt veprimtaria intelektuale e tij është e një spektri më të gjërë sesa vetëm në fushë të letrërsisë, është prezent në shtypin e viteve 30 me një sërë artikujsh kritikë, botues për një periudhë kohe dhe specialist i çështjeve finanziare. Gjithashtu interesat e tij shtrihen edhe në fushën e hulumtimit të historisë së lashtësisë. Pra, me pak fjalë, Mitrush Kuteli është një personazh polivalent. Pas luftës, mbasi punon për pak kohë në Ministrinë e Financave, emërohet drejtor i Bankës shqiptare, ku punon deri në fund të vitit 1946. Tërhiqet nga kjo punë për t iu dedikuar letërsisë, por në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjërë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet dhe kalon dy vjet në burgjet politike të regjimit. Amnistohet mbas dënimit të Koçi Xoxes dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ndërkohë që e drejta e botimit nuk ju dha më. Prodhimtaria e tij e gjërë intelektuale frenohet kështu në vitet e ardhjes së regjimit komunist. Krijimtaria e Mitrush Kutelit lihet në haresë dhe kërkesat e tij për të punuar me botimin e një libri mbi antikitetin ilir, mbetën pa përgjigje. Kemi zgjedhur për këtë antologji një letër-testament drejtuar gruas së tij, duke menduar se këto pak faqe përcjellin me forcë tronditëse gjithë zhgënjimet dhe hidhërimet që Mitrush Kuteli përvuajti gjatë periudhës së diktaturës
TESTAMENTI ADRESUAR GRUAS
E dashur Efterpi!
Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Ikja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë... prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterre të Kalasë, pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t u fshehur. Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin... Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, O Pasko! Ç ke bërë”? “S di”, “Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt- akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. “Fundja do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua e Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli... Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s kam qenë e s dua të jem kurrë parazit. Po ç të bëj, grua? S mund. Kokën e kam të turbullt.
Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mia të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell...
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›