E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela-rekord, mesfushori me më shumë minuta në Bundesligë

Autori i Lajmit: red.
Shqiptari Ervin Skela ka vendosur një rekord në Bundesligë për sezonin që porsa përfundoi, atë 2007-2008. Fantazisti i Energi Kotbus është mesfushori i vetëm në Bundesligë që ka më shumë ndeshje dhe minuta në këmbët e tij. Golashënuesi më i mirë i Kotbusit, njëherësh edhe lojtari kryesor, që i siguroi mbijetesën ekipit të tij është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni: 34 të tilla, duke pasur në statistikat e tij 2988 minuta. Nga ana tjetër mesfushori i Ernergi Kotbus, është një nga gjashtë lojtarët më të aktivizuar në Bundesligën gjermane për sezonin 2007-2008: 34 ndeshje, po aq sa Jaroslav Drobny (Herta), Robert Enke (Hanover 96), Manuel Nojer (Schalke 04) dhe Frank Rost (Hamburger). Skela, në fakt renditet i gjashti lojtar me më shumë minuta të luajtura: 2988 në total, kur tre të parët: Jaroslav Drobny, Robert Enke dhe Manuel Nojer kanë në statistikat e tyre plot 3060 minuta. Ajo që e bën të veçantë “rekordin” e shqiptarit është fakti se tre të parët janë portierë. Drobny, Enke dhe Nojer, titullarë të padiskutueshëm, të cilët natyrisht nuk kanë humbur asnjë sekondë lojë. Skela është njëherësh edhe lojtari me më shumë minuta aktivizim në ekipin e tij, i ndjekur nga Timos Rost me 2935 minuta në 33 aktivizime.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›