E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi debaton për festat shtetërore

Autori i Lajmit: red.
Projektligji për festat e Kosovës, i përgatitur nga qeveria, është kundërshtuar edhe nga vetë deputetët e koalicionit qeveritar, me arsyetimin se nuk i përmbush kriteret mbi të cilat do të duhej të shkruhej. Reagimet më të ashpra kanë ardhur nga i ashtuquajturi “bllok nacionalist”

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim një projektligj me të cilin përcaktohen festat shtetërore të Kosovës dhe, të mërkurën, pritet ta diskutojë atë nen për nen. Sipas këtij projektligji të paraqitur nga qeveria, Kosova do të ketë njëmbëdhjetë festa zyrtare, gjashtë prej të cilave do të jenë festa fetare dhe vetëm pesë festa laike. Por ky vendim ka ndezur debate, sepse në këtë listë festash nuk përfshihet 28 Nëntori, dita e flamurit shqiptar, 12 Qershori, që cilësohet Dita e Çlirimit të Kosovës dhe Dita e Dëshmorëve. Projektligji për festat e Kosovës, i përgatitur nga qeveria, është kundërshtuar edhe nga vetë deputetët e koalicionit qeveritar, me arsyetimin se nuk i përmbush kriteret mbi të cilat do të duhej të shkruhej. Reagimet më të ashpra kanë ardhur nga i ashtuquajturi “bllok nacionalist”. Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, i ka thënë BBC-së se me këto ligje po fillon shkombëtarizimi i Kosovës. Projektligji është kundërshtuar edhe nga spektri i gjërë politik. Për këtë ka pasur debate mjaft të ashpra në Kuvend, ndërkaq në reagimet e para, qytetarët e shumicës shqiptare kanë filluar ta cilësojnë këtë projektligj të barabartë me tradhtinë . Projektligji i qeverisë është kundërshtuar edhe nga Kuvendi. Kryetari i tij, Jakup Krasniqi, i tha BBC-së se përgatitja e këtij projektligji ka pasur mangësi. Ai thotë se kjo çështje po përcillet edhe me emocione, të cilat, sipas tij, janë të arsyeshme. Zoti Krasniqi thotë se gabimi kryesor në përpilimin e këtij projektligji qëndron në faktin se ai nuk bën ndarjen e festave në kombëtare, shtetërore dhe fetare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shprehur dyshimin se projektligji do të mund të kalojë në Kuvend pa përfshirjën e 28 Nëntorit si festë zyrtare të Kosovës. Zoti Krasniqi i tha BBC-së se një grup “ad hoc , po punon për të arritur një pajtueshmëri dhe, sipas tij, komproimisi mund të arrihet brenda ditës së mërkurë.
Reagime nga serbët
Por nëse ky kompromis nënkupton futjen e festave që nuk janë në projektligj, atëherë serbët thonë se nuk do ta mbështesin atë dhe do të kërkojnë që në listën e festave zyrtare të Kosovës të futen edhe festat nacionale serbe. Dejan Sojanoviç, shefi i grupit parlamentar serb në Kuvend, tha se e kishte mbështetur në parim futjen në procedurë të miratimit të këtij projektligji me tekstin dhe listën e atyre festave që janë paraqitur. “Ne mendojmë se pavarësisht prej të gjitha gjërave, janë plotësuar kriteret e festave edhe për pakicën serbe, siç janë Krishtlindjet dhe Pashkët. Sa i përket festave të tjera që po përmendën, siç është 28 Nëntori apo festa të tjera, unë nuk do të doja t i komentoja. Mendoj se kjo është e drejtë e shumicës shqiptare që i ka vendosur si propozim”, - tha Dejan Sojanoviç. Sipas shefit të grupit parlamentar serb në Kuvendin e Kosovës, nuk do të ishte mirë që të merremi me çështje që po shkaktojnë ndarje. “Nuk e kuptoj pse ndonjë datë që nuk lidhet me Kosovën, do të duhej të ishte festë kombëtare apo shtetërore. Dikush mund ta festojë këtë datë, siç mendon vetë dhe kjo nuk paraqet asnjë problem, por në asnjë mënyrë nuk bën që data të tilla të hyjnë në listën e festave zyrtare”, - tha zoti Dejan Sojanoviç.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›