E Martë, 3 Nëntor 2026

Amnistia Penale, Basha: Përfitojnë të dënuarit. Manja: I the lamtumirë zanatit të juristit

Kreu demokrat Lulzim Basha ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se Amnistia Penale do të shërbejë për favorizimin e të dënuarve nga GJKKO, duke përjashtuar të gjithë protestuesit të cilët ngrihen kundër korrupsionit.

Basha deklaroi se Amnistia Penale nuk është në rendin e ditës së Kuvendit dhe nuk duhet votuar, ndërsa kërkoi kthimin e saj në Komisionin e Ligjeve.

“Transparenca shërbehet përmes procedurave parlamentare. Amnistia nuk ishte në rendin e ditës. Duhet ta fusni sot pa e kaluar në Komisoionin e Ligjeve.

Ju nuk doni që qytetarët të kenë mundësinë të njihen me një Amnisti e cila shpërblen gjyqtarë të korruptuar e dënuar nga GJKKO dhe dënon opozitarë e protestues të tjerë.

Pazar i qartë. Nga kjo amnisti përjashtohet të gjithë protestuesit. Ky pazar i ulët është pazar anti-drejtësi, anti-SPAK, përfitojnë të dënuarit dhe përjashtohen e dënohen protestuesit kundër korrupsionit, duke përfshirë zyrtarë të lartë të çështjeve që gjoja janë nën hetim parlamentar, siç është ish-sekretarja e Përgjithshme e Shëndetësisë”, tha Basha.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja hodhi poshtë akuzat e kryedemokratit duke garantuar se asnjë i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga Amnistia Penale.

“Me këtë që sapo tha z.Basha i ka thënë lamtumirë zanatit të juristit. Kur të vij debati për ligjin e amnistisë, secili nga kolegët do njihet me risitë, me amendamentit dhe propozimet nëse ka.

Por të dalësh dhe të thuash që përfitojnë të dënuarit nga GJKKO, duhet të jemi serioz, gjithçka ka limit”, tha Manja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›