Amnistia e 100-vjetorit, Shqipëria hap dyert e burgjeve për festën (FOTO)
Tiranë- Pa shkuar ende ora tetë e mëngjesit policët dhe gardianët e burgut 325 pranë Ali Demit, bëhen gati me listat në duar për të nisur nxjerrjen e të dënuarve që përfitojnë nga amnistia e pavarësisë.
Ndërsa në oborr vendoset një tavolinë ku do të kontrollohen për herë të fundit gjeneralitetet e të dënuarve që dalin të lirë, brenda burgut çantat janë bërë gati që një ditë më parë.
60 të dënuar meshkuj dhe tre gra takojnë njëri-tjetrin. Dikush mer të falat që duhet t’ja dërgojë dikujt tjetër. Një 45-vjeçar i lë batanijen shokut të tij të dhomës. Ndërkohë që pa gdhire dhjetra familjarë presin. Presin ata që janë jashtë mureve. Edhe pse ka edhe nga ata që njoftohen se njeriu i familjes së tyre nuk ka përfituar nga amnistia.

Të amnistuarit firmosin
Kur ora shënon tetë policët fillojnë të thërrasin një nga një emrat që janë në listë për t’ju nënshtruar kontrollit të fundit në çantat e tyre, madje edhe në trup. Shefi i grupit të verifikimit bën me secilin batuta sa për të qeshur sa edhe seriozisht “Damian, ështe hera e shtatë që del. Mos hajde më mor djalë. Gjej ndonjë punë”… I riu qesh dhe thotë sië thonë ndoshta të gjithë të dënuarit ” jo… jo…i kam folur mendjes kësaj radhe”.

Lirimet për 100-vjetor
Kur aty vjen një burrë edhe ky që përfiton nga amnistia dhe që ka qenë në burg për falsifikim dokumentash, gardiani e pyet në kohën që ai firmos fletë lirimin. “Hë Astrit…çdo bësh tani që do dalësh?”. Dhe ai teksa firmos i përgjigjet “kam pavarësinë sot”.

Amnistia e 100-vjetorit
Z. Topalli është 18 vjec. Ai është me prejardhje nga një fshat i Shkodrës. Ka qenë një nga ata djelmosha problematikë në fushën e vjedhjeve. Jashtë burgut e presin familjarët e tij. Eshtë fëmija i tretë i familjes e cila për pamundësi ekonomike i dha vetëm shtatë klasë shkollë. Ai vjen duke qeshur tek tavolina ku firmos fletë- lirimin dhe policët nuk i lënë batutat edhe me të: “Mos e humb këtë fletën ore se larg qoftë të kapin policët e të sjellin prapë këtu. Trego dokumentin që të japim ne se mos të pyet ndonjë patrullë”. Fëmija qesh. I mësuar ndoshta me ambjente të tilla pasi ka qënduar në këtë burg për gati një vit, ai tregon për gazetën IDEA se është arrestuar më tetor të 2011 dhe se ishte dënuar në mungesë për një vjedhje të kryer më 2009 .

Kontrolle para lirimit
‘Isha fëmijë- thotë- sigurisht që jam penduar. S’do vjedh më”. Po çdo bësh a e ke menduar? Adoleshenti tregon se ka bërë plane, do punojë në një lavazh si fillim “pastaj të shohim e të bëjmë si dihet kismetit”. Ne e pyesim sa burg i kishte mbetur, një pyetje kjo që është shumë normale brenda një burgu.
“Më kishin mbetur 17 muaj, por i fitova këto muaj, jam i lirë apo jo?”. Djali nuk e tregon të vërtetën se përse është arrestuar. Thotë shkurt për vjedhje. Por kur ne e pyesim se çfarë ka vjedhur, ai përgjigjet vetëm një televizor. Ne tentojmë që t’ja nxjerrim të vërtetat me grep dhe kur këmbëngulim vetëm një televizor ai shton edhe ca hekurishte për skrap.

Amnistia hap burgjet shqiptare për disa vepra
Edhe F. Logu është në listën e atyre të rinjve që fitoi lirinë. Edhe ai është i akuzuar për vjedhje. Ai është 21 vjeç dhe ka vetëm një çantë kur del, një cantë ku ka palosur rrobat e trupit. I veshur sportiv ai nuk ka turp të thotë, që po jam arrestuar për vjedhje, “ja kështu ndodhi që edhe u dënova”. 21-vjeçari vijon duke thënë ” vidhja makina. Eshtë e tepërt t’ju them se edhe unë nuk vjedh më, jo kam gjëra të tjera për të bërë”.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: