E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia legalizon 6 miliardë USD asete

Studimi paraprak i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Gjuraj: Formula që ndoqëm

Një studim paraprak i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nxjerr në dukje se amnistia fiskale mund të legalizojë asete me vlerë deri në 6 miliardë dollarë. Shuma në fjalë konsiderohet e fshehur brenda pjesës së ekonomisë informale dhe presupozohet që me amnistinë do të dalë në dritë kundrejt një pagese modeste tatimore. Sipas drejtores ekzekutive të Dhomës së Tregtisë, Eugenia Gjuraj, studimi është bazuar mbi kontributin që japin sektorët e ndryshëm në ekonomi, dhe duke marrë si të mirëqenë nivelin e informalitetit, me 50 për qind. Nga formula e aplikuar, del se sektori i shërbimeve jep më tepër ndikim në ekonomi, nëse vihet në zbatim amnistia fiskale. Vlera totale është dy herë më e lartë sa parashikimi i bërë nga ministri i Financave, i cili në qëndrimin e parë publik rreth amnistisë, pranoi nisjen e procesit.

Formula

“Përllogaritja e vlerës që mund të çlirohet mundësohet duke llogaritur të ardhurat e padeklaruara në vite, akumulimi i të cilave duhet të ekzistojë minimumi si kapital ose aset i zotëruesve të njohur si subjekte të kontrollit fiskal”, deklaron Gjuraj. Sakaq, debati për amnistinë ka përfshirë grupe të ndryshme të interesit, propozimet e të cilëve shkojnë deri në kufizimin e legalizimit të asetit të fshehur. Ajo që i mundon palët është identifikimi i fushave se deri ku do të shtrihet amnistia. Ministria e Financave pret nga biznesi platformën e projektit, ndërsa nuk kanë munguar takimet për të gjetur rrugën e zbatimit. Gazeta “Shqip” botoi pak ditë më parë pjesë nga drafti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ku propozohej një masë takse për legalizim aseti nga 2 deri në 10 për qind, nisur nga niveli aktual i shkallës tatimore.

“Në vijim mbështetet fakti që amnistitë duhet të mos përsëriten në intervale të shpeshta kohe. Përfundimi: zvogëlim i besimit për funksionimin e presionit fiskal dhe normë e ulët e këtij presioni, probabilitet drejt zeros në penalizimin e evazionit dhe një efekt jopozitiv i procesit të amnistisë”, thotë Gjuraj. Në fakt ka debate të ndryshme rreth ciklit të amnistisë, nëse duhet të përsëritet apo kjo që do të ndodhë është e para dhe e fundit. Shqetësimi i qeverisë në këtë pikë mbetet tek inkurajimi i atyre bizneseve që kanë paguar taksat dhe që sot e shikojnë “konkurrentin” të dalë në dritë me të drejta të barabarta, kur në fakt ka vepruar të kundërtën. është për t’u theksuar fakti se përveç Dhomës së Tregtisë së Tiranës, e cila ka iniciuar projektin dhe vijon deri në përfundim (përfshi dhe qëndrimet e Konfindustrisë), asnjë institucion që mbulon interesat e biznesit nuk ka dhënë një deklaratë që të jetë pro apo kundër procesit të legalizimit të aseteve. Kjo do të thotë se brenda komunitetit të biznesit ka ende paqartësi rreth mënyrës së zbatimit të projektit, si dhe më e rëndësishmja, bizneset e ndershme nuk e kanë me aq qejf amnistinë, sidomos ato subjekte që janë konkurruar padrejtësisht.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›