E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin punimet për autostradën

(E plotësuar)

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij shqiptar Sali Berisha, përmes shtypjes së butonit kanë bërë shpërthimin e parë, i cili simbolikisht ka shënuar edhe fillimin zyrtar për ndërtimin e projektit madhor të autostradës Morinë-Merdar.

Mijëra qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria ishin mbledhur të dielën në Vërmicë, për të marrë pjesë në inaugurimin solemn të punimeve në autostradën Morinë-Merdare nga kompania “Bechtel & Enka”.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vendin tonë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke vlerësuar rëndësinë e autostradës, ka thënë se ajo do të përmirësojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe popujve të të dy vendeve.

“Sot po nis jetësimi i një ëndrre të kahmotshme, ndërtimi i autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar, e cila do ta lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe me gjithë rajonin udhën tonë të pakthyeshme drejt integrimeve euroatlantike. Që sot po nis beteja e madhe për rrugën e shpresës sonë të përbashkët për zhvillim më të shpejtë ekonomik, sepse kjo autostradë do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Por, tej dobisë ekonomike, për tej sjelljeve të mëdha që do të na sjell bashkëpunimin dhe njohjen e ndërsjellë, kjo udhë ka domethënie shumë me të fuqishme shpirtërore për ne, sepse shënon përfundimin e ndarjes së padëshiruar që na është imponuar shekuj me radhë”, ka thënë Sejdiu.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nisjen e punimeve të autostradës e ka vlerësuar një moment të rëndësishëm historik, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aderimit të Shqipërisë në NATO.

“Sot para nesh, para institucioneve të shtetit e të qeverisë sonë shtrohen obligime tjera të mëdha përpara për kombin, përmirësimin e jetës së qytetarëve paraqet imperativ kryesor të angazhimeve tona të përditshme. Vendi ynë ka nevojë për infrastrukturë moderne, një e tillë është udha e kombit. Kjo lidhje është edhe pjesë e idealit të dëshmorëve që ranë brez pas brezit për perspektivën e të ardhmen e përbashkët tonë. Është obligim i ynë institucional për t’i hapur perspektiva të reja qytetarëve tanë, është obligim i yni për edukimin e brezit të ri me frymën e vlerave kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ka thënë Krasniqi.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e autostradës, duke thënë se autostrada do të afrojë edhe më shumë pranë njëra-tjetrës Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe do të përshpejtojë proceset e integrimeve drejt Evropës.

“Sot këtu në Prizren, drejt Prizrenit janë drejtuar sytë, mendja dhe zemra e mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot qytetarët e Kosovës, Qeveria e Kosovës, edhe njëherë si të shumtën herë i bashkuan frontet se ata janë të vendosur për çdo vendim për interesin kombëtar, se ata sikur në të shkuarën, për këtë interes nuk lënë çmim, janë të gatshëm të paguajnë çdo gjë. Inaugurimi sot i korridorit të kombit vetëm më pak më shumë se dy vjet Kosova e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë”, ka thënë Berisha.

Për më tepër, ai ka thënë se nga Korridori i kombit nuk do të përfitojnë vetëm Kosova dhe Shqipëria, por edhe vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, ndërkaq paralajmëroi se në të ardhmen do të nisë edhe projekti për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Prishtinë.

“Inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën dhe Prishtinën”, ka thënë Berisha.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me ndërtimin e autostradës po hapet epoka e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe se me ndërtimin e kësaj autostrade ëndrra po shndërrohet në realitet.

“Sot po nisim rrugën e kombit, më lejoni t’ju përkujtojmë respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve tanë në kufij të ndarë dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror, po, sot në këtë ditë po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe të komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare”, ka thënë Thaçi.

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka thënë se me ndërtimin e autostradës po thyhen muret e së kaluarës dhe se autostrada e Kosovës po bëhet një udhëkryq për të gjithë popujt e rajonit.

“Fillimi i ndërtimit të kësaj autostrade dëshmon përkushtimin e qeverisë sonë, për të realizuar ëndrrat e shumë gjeneratave që në vepër përcaktojnë rrugën e ardhmërisë së Kosovës. Kjo autostradë në zemër të Kosovës, bëhet një udhëkryq i rëndësishëm për të gjithë rajonin, për gjithë popujve e rajonit dhe kjo autostradë të gjithë ne së bashku të gjithë popujt e rajonit do t’i çojë drejt Evropës së bashkuar. Sot e realizojmë një objektiv të rëndësishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës projekt me peshë të veçantë për zhvillimin ekonomik, me krijimin e mirëqenies ekonomike përmes krijimit të lidhjeve ndërkombëtare të komunikimit”, ka thënë Limaj.

Për më tepër, ministri Limaj ka thënë se autostrada do të ndihmojë që Kosova të bëhet më tepër tërheqëse për investime të huaja, se do të ketë dalje në det dhe se do të lidhet me rrugët e shteteve fqinjë.

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin autostradës, projekt i cili është provë se vendimi i pavarësisë së Kosovës është i drejtë.

“Çdo kush që vë në pikëpyetje nëse pavarësia është vendim i drejtë atëherë shikon mijëra qytetarët që kanë ardhur sot. Le ta dinë se sa i rëndësishëm është pavarësia e Kosovës”, ka thënë Dell, i cili garantoi se SHBA do të jetë në krah të qeverisë në realizimin e këtij projekti.

Kompania fituese e tenderit “Bechtel & Enka”, të dielën e kaluar ka sjellë në Kosovë mbi 30 makineri ndërtimi, në kuadër të fazës së parë të mobilizimit të mjeteve për autostradën Morinë-Merdare.

Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.

Nëse nuk paraqiten pengesa, ndërtimi i autostradës Morinë - Merdare pritet të përfundojë brenda 36 muajve, kurse ajo do të kushtojë rreth 700 milionë euro.

Autostrada Morinë-Merdar, e cila është vazhdimësi e autostradës Durrës – Morinë, apo “Rruga e Kombit”, lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, ndërsa Kosovës i krijon mundësi të daljes në det duke e lidhur pikën më të skajshme kufitare të Kosovës, Merdaren me portin e Durrësit.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas autoriteteve në Kosovë, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës në ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare. 40 për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës thuhet se do t’i kryejnë kompanitë vendore. /kosovapress/

Nis ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare

Në pikën kufitare në Vërmicë, sot fillojnë punimet për ndërtimin e projektit madhor të autostradës, Vërmicë-Merdare. Në ceremoni pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta nga Kosova dhe Shqipëria si dhe qytetarë të shumtë.Fillimin e punimeve, duke aktivizuar një shpërthim eksplozivi, do ta bëjnë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë Sali Berisha.

Ndërtimi i autostradës Vërmicë – Merdar do të mundësojë edhe punësimin e rreth katër mijë njerëzve. Zyrtarë të Qeverisë thonë se gjatë tre vjetëve të ardhshëm, sa parashihet të zgjasë projekti, rreth 40% të punimeve do t’i kryejnë kompanitë vendore.

Autostrada Vërmicë – Merdar është njëri ndër projektet që ka ngjallur, përveç tjerash, debate të shumta politike. Partitë e koalicionit qeverisës e mbrojnë projektin dhe qasjen e Qeverisë ndaj tij. Opozita, ndërkohë, kritikon institucionet për mungesë transparence dhe mos zgjedhje të kohës së duhur për realizimin e projektit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›