Amnistia nëpër botë

I shfaqur për herë të parë në pranverën e këtij viti, filmi “Amnistia”, i regjisorit shqiptar Bujar Alimani, po vazhdon të shfaqet nëpër disa vende të botës.
Deri tani, filmi ka marrë pjesë në shumë festivale të rëndësishme kinematografike në mbarë botën, duke marrë vlerësime si nga publiku ashtu edhe nga kritika. Ndër këto vlerësime konsiderohet çmimi C.I.C.A.E në Festivalin e Berlinit, si dhe çmimi Cineuropa në Festivalin e Kinemasë Europiane të Lecces.
Tema me të cilën po njihet Shqipëria nëpër shumë vende të botës, me anë të shiritit filmik, ka të bëjë me një fenomen të veçantë, të cilin regjisori Alimani e kapi në filmin e tij. Për herë të parë në Shqipëri hartohet një ligj i ri i cili lejon marrëdhënien seksuale të të martuarve brenda burgjeve të Tiranës. Elsa udhëton një herë në muaj prej Pogradecit të largët për të takuar burrin e saj në burg.
Shpëtimi gjithashtu viziton burgun e njëjtë për të takuar gruan e tij. Një histori dashurie në mes të dy vizitorëve fillon të dalë në muret e burgut deri sa një vendim i ri amnistie për të burgosurit do të vështirësojë këtë histori për ata dy.
Skenari dhe regjia e filmit janë bërë nga Bujar Alimani, ndërkohë aktorët e filmit janë: Luli Bitri në rolin e protagonistes, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Skara, Aleksander Rrapi.
Veprimtaritë, të organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare, do të zhvillohen në Torino, të shtunën më datë 29 tetor, ora 19.00, në Cineporto ndërsa në Milano, të hënën, më datë 31 tetor, ora 18.00 në Cinema Gnomo.
Ato do të drejtohen nga gazetari Benko Gjata dhe shënojnë pjesëmarrjen, ndër të tjerë, të konsullit shqiptar në Milano, Gjon Çoba, gazetarit dhe dokumentaristit Roland Sejko, si edhe kritikëve të artit kinematografik Vittorio Sclaverani dhe Paola Assom.