Mjeshtri i drurit dhe gurit
Është konsideruar si prift i mashtrimit, skulptor në natyrë, ëndërr e drurit e shumëçka tjetër. Por një prej vlerësimeve më të mira për skulpturat e Hevzi Nuhiut e ka dhënë poeti i njohur shqiptar Visar Zhiti. “Ai bën një art të pakohë dhe të pamoshë, që i ngjan punëve të njeriut të parë nëpër shpella dhe atij më modernit. I bashkon këto dy vizione dhe jep atë që do të bënte natyra”, kështu ka shkruar poeti Zhiti për skulptorin shqiptar nga Presheva Hevzi Nuhiu, i cili, të premten mbrëma, e hapi ekspozitën me skulptura ‘Udhëtimi në Ballkan’ në holin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Sali Bashota, drejtor i BKUK-së, tha se është kënaqësi e veçantë që sot e kemi skulptorin Hevzi Nuhiu këtu në mesin tonë, i cili është një emër i njohur i artit shqiptar në përgjithësi.
Ndërkaq, Michael Giffoni, ambasador i Italisë në Prishtinë, tha se i vjen keq që nuk mund të fliste në gjuhën tonë të përbashkët sepse, sipas tij, është e vështirë të flitet për artin dhe të shprehen koncepte artistike në një gjuhë tjetër.
“Mjeshtri Nuhiu artin e tij e ka perfeksionuar në Itali gjë që më ka bërë të ndihem edhe më krenar sepse e njoh shumë mirë ambientin kulturor të arbëreshëve të Italisë, në të cilin është krijuar edhe artisti ynë Nuhiu”, tha ambasadori italian. Ai shtoi se ajo që i ka bërë përshtypje më shumë ka qenë lënda e parë që e përdorë ai më së shumti e që janë guri dhe druri. Ai tha gjithashtu se nuk është figura në vetvete që i ka bërë më shumë përshtypje.
“Në skulpturat e tij gjithçka është e bazuar në një kundërpozicion në mes të asaj që është bosh dhe asaj që është plot”, tha ambasadori Giffoni.
Për skulpturat e Nuhiut foli edhe Don Lush Gjergji, i cili theksoi se këtë ide për ekspozitë me Hevziun e ka pasur qysh para tri-katër vitesh kur ai për herë të parë e ka ndarë një përvojë të bukur artistike, gdhendjen e Nënës Terezë në gurin që është në hyrje të Preshevës. “Aty Hevziu nuk e pa vetëm një shkëmb apo një kodrinë por e pa edhe fytyrën e nënës universale që është Nëna Terezë. Vet ideja dukej gjeniale. Pastaj dalëngadalë pata rastin dhe mundësinë edhe disa herë të takohem si në Preshevë si këtu në Prishtinë dhe e pash se Hevziu është një punëtor që meriton në kryeqytetin tonë të ekspozojë veprat e tij”, tha Gjergji. Sipas tij, Hevziu është një njeri që nuk shikon vetëm sipërfaqen e asaj çka ka toka dhe mbitoka. Por shtoi se gjërave të bukura iu jep një bukuri shtesë sepse botën e tij që e ka në brendi e projekton dhe e derdh në lëndën e parë që është druri, guri dhe metalet e ndryshme.
“Ajo çka është specifikja e specifikës është se shumë nga veprat e tij të krijuara në këtë formë i lë në vendin ku i ka gjetur. Është një ekologjist i mrekullueshëm sepse atij i duket se është dhunë të marrësh diçka nga nëna tokë e ta fusësh në një studio ose në ndonjë vend të vetmuar. Prandaj veprat e tij artistike janë një muze, janë një ekspozitë e vazhdueshme në natyrë sepse ato komunikojnë vazhdimisht me njerëzit që kalojnë andejpari”, tha Gjergji.
Me një fjalë rasti, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ndërsa, në pamundësi për të marrë pjesë në hapje të ekspozitës, nga një letër e kishin dërguar edhe Albert Prenkaj, ambasador i Kosovës në Romë si dhe poeti i njohur shqiptar Visar Zhiti.
Në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe autori i ekspozitës, skulptori Hevzi Nuhiu, i cili që tridhjetë vite jeton në Shën Mitër Koronë pranë arbëreshëve të Italisë.
“Unë mendoj se natyrën tonë, tokën tonë, planetin tonë çdo ditë po e helmojmë me qindra mijëra tonelata helm, i kemi futur kancerin tokës dhe ajo po na paguan me të njëjtën monedhë”, tha skulptori Nuhiu. Ai shtoi se skulptura e tij është e vështirë për t’u kuptuar nga masa sepse, siç u shpreh ai, ka pasur fatin të jetë 15 vjet mik i ngushtë i mjeshtrit Ibrahim Kodra.
Duke cituar një thënie të Aristotelit, të cilën ia kishte thënë piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra, Nuhiu tha: “Aristoteli thoshte se natyra është përfekte. Ne nuk mund ta kopjojmë dhe ta imitojmë. Duhet ta interpretojmë”.
Duke e falënderuar drejtorin e bibliotekës për mundësinë e hapjes së ekspozitës, Nuhiu ia dhuroi atij një skulpturë të tij në formë libri të hapur, në të cilën ishte gdhendur emri i Gjon Buzukut.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë.