E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia për sigurimet, kategoritë që përfitojnë

11/06/2011  Krahas të vetëpunësuarve, kompanive u falen gjobat e kontributet e papaguara dhe për fermerët

Detajimet për 523 subjekte fizike, 838 subjekte juridike, si dhe 23,000 subjekte të tjera

Pranvera Kola

Me ndryshimet ligjore të bëra, organet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar procedurën si dhe kategoritë që do të përfitojnë faljen e detyrimeve të papaguara kontributive, si dhe gjobat e akumuluara ndër vite. Sipas ekspertëve, falja e këtyre detyrimeve, gjobave dha kamatëvonesave, përfshin subjektet e vetëpunësuara, që nuk kanë të punësuar të tjerë, si dhe subjektet juridike e fizike me të punësuar, ku punëdhënësit krahas përgjegjësive të tyre, kanë përgjegjësi për sigurimin shoqëror dhe të personave të tjerë të punësuar.

Kategoritë

Ekspertët e sigurimeve pohojnë se pjesë e skemës së përfitimit për të vetëpunësuarit janë tatimpaguesit e regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni edhe kategoritë e tjera të përfituesve, siç janë subjektet fizike e juridike, e të vetëpunësuarit në bujqësi, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë për të përfituar. Pagesa kontributeve për të vetëpunësiuarit ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë 17 viteve të fundit, ku nga 42.5% ka arritur në 24,5 për qind dhe së bashku me sigurimet shëndetësore në total të jetë 27,9 për qind. Ndërsa përqindja që paguan i vetëpunësuari për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore aktualisht është 30 për qind. Mosfalja e detyrimeve për disa subjekte shihet si akt normal, mbasi pagesat kontributive për këto subjekte që kanë të punësuar dhe punonjës të tjerë, lidhet ngushtësisht me vjetërsinë kontributive të punonjësve të punësuar, për të përfituar nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore, kur të plotësojnë kushtet. Për subjektet të vetëpunësuar, të cilëve iu falën detyrimet kontributive, por që kjo nuk konsiderohet si vjetërsi kontributive, për të përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore, iu jepet mundësia për të paguar detyrimet kontributive pa gjoba dhe kamatëvonesa.

Të vetëpunësuarit në bujqësi

Një përfitim të jashtëzakonshëm në këtë rast kanë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi.

Kjo kategori për t’u siguruar nga hyrja në fuqi e ligjit të sigurimeve e deri më sot duhet të ketë një vjetërsi kontributive prej 17 vite e 9 muaj, për të cilat fermeri duhet të paguajë 106,776 lekë në zonat fushore dhe 70,409 lekë në zonat malore. Në këto kushte favori që i bëhet fermerëve diktohet nga fakti që fermerët sigurojnë periudha të kaluara, nga 1.10.1993 me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike. Vlen të theksohet fakti se që nga viti 1993 e deri në vitin 2002, masa e pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore për fermerët ka qenë 1,620 lekë në vit për zonat fushore dhe 972 lekë për zonat malore. Në këtë kuadër, me masa kontributesh minimale dhe pa kamatëvonesa do të bëhet pagesa deri me 31.12.2011. Sipas ligjit nr.9600, datë 27.07.2006, kamata është 2 për qind për muajin e parë të vonesës dhe 1 për qind për muajt e tjerë. Duke pasur një vjetërsi si të vetëpunesuar në bujqësi, që konsiderohet ligjërisht si vjetërsi pune në qytet, bazuar në ligjin e sigurimeve, një vjetërsi e tillë e cila kalon ½ e 35 vite, që kushtëzon pensionin e plotë, fermerët përfitojnë pension të plotë si në qytet. Po të marrim në mënyrë hipotetike, sikur fermeri të mos ketë vjetërsi tjetër në punë vetëm me këtë vjetërsi kontributive si i vetëpunësuar në bujqësi, me pensionin e pjesshëm që do marrë, do e barazojë pagesën e bërë për 1 vit e 4 muaj për fermerët në zonat fushore dhe për afër 10 muaj në zonat malore.

Përfitimet për të vetëpunësuari në bujqësi

Të gjitha këto favore u bëhen personave që kanë aktivitet bujqësor ose blegtoral dhe jo kategorive të tjera, që megjithëse mund të banojnë në fshat mund të kenë aktivitete të tjera jobujqësore.

Në këtë kuadër kushtet që duhet të plotësojë fermeri për t’u siguruar në këtë skemë janë:

-të ketë mbushur moshën 16 vjeç

-të ketë aktivitet bujqësor dhe blegtoral

-të ketë tokë në pronësi ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor të tij

-të ketë qendrën e banimit në të njëjtin rreth ku ushtron aktivitetin bujqësor

-të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror.

Këto kushte vërtetohen me këto dokumente të tilla si

-aktin e pronësisë mbi tokën ( certifikatë pronësie ), apo akte të tjera noteriale që vërtetojnë marrjen me qira, apo tjetërsimin e tokës në favor të tij.

-vërtetim nga komuna që ka aktivitet bujqësor apo blegtoral

-certifikatë personale të gjendjes civile.

Janë klasifikuar si zona malore dhe rrjedhimisht përfitojnë lehtësira më të mëdha, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitete bujqësore e blegtorale në rrethet, Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë.

Me pagesat e kontributeve të fermerëve përfitohet:

1. Të gjitha llojet e pensioneve ashtu sikurse të vetëpunësuarit në qytet (pension pleqërie, invaliditeti, familjar).

2. Shpërblim dhe leje lindje.

3. Sigurim shëndetësor.

Gjithashtu, së bashku me sigurimin shoqëror të vetëpunësuarit në bujqësi sigurohen dhe për sigurimin shëndetësor, ku kontributet janë të detyrueshme të paguhen bashkërisht. Pagesat vjetore për sigurimin shëndetësor janë tepër simbolike, që kapin shumën 3,360 lekë në vit për zonat fushore dhe 2,016 lekë në vit për zonat malorë. Me këto pagesa fermerët përfitojnë: vizita mjekësore, ekzaminime, rimbursim medikamentesh etj.

Në këtë mënyrë fermerët me pagesa tepër të reduktuara përfitojnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe përfitimesh që lidhen me sigurimin shoqëror dhe shëndetësor.

Cilat janë kategoritë e fermerëve më emergjente për t’u siguruar

•Fermerët e papërfshirë asnjëherë në skemë, të cilët janë krejtësisht të pambrojtur nga ligji i sigurimeve shoqërore dhe që nuk përfitojnë asnjë përfitim. Niveli simbolik i masës së kontributeve, është në interes të fermerëve të pasiguruar në skemën e sigurimeve shoqërore. Sidomos burrat e datëlindjeve 1946, që ende nuk kanë mbushur moshën 64 vite e 6 muaj, të datëlindjeve 1947, 1948 dhe afër tyre dhe gratë e datëlindjeve 1951, që ende nuk kanë mbushur moshën 59 vite e 6 muaj dhe ato të datëlindjeve 1952, 1953 etj., e afër tyre, kanë mundësi për të kompletuar vitet e punës në kushtet e faljes së kamatëvonesave me pagesa tepër minimale.

•Çifte të reja të martuarish për të përfituar shpërblimin dhe lejen e lindjes.

Kujdes

Fermerët duhet të kenë në vëmendje se pagesat për sigurimet shoqërore, duhen bërë para lindjes të së drejtës për përfitime. Mbas plotësimit të moshës për pension ose për përfitime të tjera, nuk lejohet sigurimi shoqëror.

Përfundimisht, duhet të rikujtoje se falja e kamatëvonesave, është bërë me kusht që detyrimi kontributiv të paguhet brenda afatit të veprimit të këtij ligji, që do të thotë brenda datës 31.12.2011. Me kalimin e këtij afati për pagesat e kontributeve për të vetëpunësuari në bujqësi, do të aplikohen kamatëvonesat. Pra, kjo mundësi u jepet fermerëve vetëm në sajë të miratimit të ligjit të mësipërm, dhe mund të jetë një mundësi e fundit për ata fermerë që nuk janë përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, ose që kanë vite kontributive të pambuluara nga kjo skemë.

Kategoritë që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve

Për të vetëpunësuarit:

• Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

• Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti.

• Të gjithë tatimpaguesit të mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, ku përfshihen edhe detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

• Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

• Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.

• Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

• Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Për personat fizik dhe juridikë.

• Ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave.

• Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar.

• Miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë dhe një ndihmë e konsiderueshme që u bëhet subjekteve juridike dhe fizike, të cilët kanë detyrime të pashlyera që lidhen me sigurimet shoqërore, për vazhdimësinë e biznesit të tyre, duke iu krijuar mundësi për një ecuri normale të shlyerjes së tyre në vitin aktual dhe në periudhat e mëvonshme. Po kështu efekti i faljeve nëpërmjet këtij ligji, është inkurajim dhe për ata biznese që për pamundësi financiare të shlyerjes së detyrimeve, kanë ndërprerë aktivitetin financiar, duke u dhënë mundësi për riaktivizimin e tij.

Subjektet që përfitojnë

Sipas të dhënave të konstatuara rezulton se për subjektet që janë debitore pranë ISSH, deri 31.12.2004, përfitojnë 523 subjekte fizike me një shumë prej rreth 18.2 milionë lekë dhe 838 subjekte juridike me një shumë prej rreth 458.8 milionë lekë kamatëvonesa. Efektet e përfitimit janë shumë të mëdha për periudhën që shërbimi i pagesës së kontributeve është transferuar në organet tatimore, ku përfitojnë afro 23,000 subjekte me një shumë prej 3,1 miliard lekësh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›