E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia, sa përfitojnë qytetarët

27/02/2012  Ja shembujt për të bërë llogaritjen nga rivlerësimi i pronave

Afatet e reja të aministisë fiskale u japin mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të legalizojnë asetet e tyre duke kursyer shuma të konsiderueshme parash. Deri më datën 31 mars të gjitha kategoritë që preken nga ky proces duhet të drejtohen pranë bankave, drejtorive rajonale të tatimeve, doganave, ujësjellësve, zyrave vendore të regjistrimit të pasurive dhe drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor. Pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë aplikuar deri më tani kanë qenë ata që duan të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Të gjithë këta pronarë për shkak të ndryshimit të shpejtë të çmimit të tregut, në rast se do të shitnin pasurinë, do të paguanin një taksë prej 10 për qind mbi shitjen e pasurisë, mund të bëjnë rivlerësimin e saj me vlerë tregu pranë ZVRPP (hipotekës), duke paguar një shumë vetëm prej 1 për qind të diferencës së vlerës të kësaj pasurie. Kështu, nëse një apartament i blerë në vitin 2002 kushtonte 30 mijë USD dhe sot kushton 100 000 USD, ka një diferencë në vlerë prej rreth 100 mijë dollarë, e cila do të bënte që taksa në masën 10 për qind të ishte 7 000 USD. Duke bërë vlerësimin paguhet vetëm 700 USD. Gjithashtu deri më 31 mars të këtij viti të gjitha taksat e papaguara nga qytetarët deri në fund të vitit 2010 falen. Të gjitha taksat e papaguara për automjetet si dhe gjobat e vendosura ndaj tyre deri në vitin 2010 falen. Për të përfituar qytetarët duhet të kryejnë të gjitha veprimet pranë drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor. Detyrimet doganore të makinave të importuara deri në fund të vitit 2010 falen 50 për qind e principalit të detyrimit si dhe gjobat e interesat, nëse paguhet 50 për qind e principalit të detyrimit. Për këtë qytetarët duhet të drejtohen pranë pikës doganore ku ka hyrë mjeti i huaj në vendin tonë. Energjia elektrike e papaguar nga shtresat në nevojë deri në fund të vitit 2006 falet. Po kështu detyrimet për ujin e pijshëm të papaguar nga konsumatorët familjarë tek ujësjellësit, të cilët nuk janë transferuar te pushteti vendor deri në fund të vitit 2010, falen. Për borxhet e biznesit të vitit 2009, nëse paguani 30 për qind të principalit të detyrimit tatimor, falet pjesa tjetër e borxhit, gjobat dhe kamatëvonesat. Për borxhet e vitit 2010, nëse paguani 50 për qind të principalit të detyrimit tatimor, falen pjesa tjetër e borxhit, gjobat dhe kamatëvonesat. Të gjitha kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri e pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit. Tarifa për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme është 3 për qind e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 5 për qind për makineri e pajisje. Bizneseve që paguajnë 50 për qind të principalit të detyrimit doganor për vitin 2009, u falet pjesa tjetër e detyrimit si dhe kamatëvonesat dhe gjobat.

Legalizimi i parave, sa përfitohet

Për të gjithë qytetarët që duan të legalizojnë paratë Ministria e Financave bën të ditur se, nëse më datën 15 shtator 2011 një individ ka hapur një llogari në bankë në shumën 1 000 000 lekë për legalizim, në bazë të ligjit nr. 10418, datë 21.04.2011 për efekt legalizimi, banka ka mbajtur si tatim në burim 3 për qind të shumës, pra 30 000 lekë. Në rast se më datën 20 qershor 2012 ky individ paraqitet pranë bankës për të bërë transferim në një llogari bankare jashtë shtetit të shumës prej 500 000 lekësh, në këtë rast për të proceduar me transferimin banka i mban 13 për qind të shumës që kërkohet të transferohet, pra 65 000 lekë, dhe transferohet prej saj në llogarinë e Thesarit të Ministrisë së Financave. Në rast se shuma në të holla e legalizuar do të përdoret nga personi fizik tregtar për të bërë blerje jashtë vendit, atëherë për të bërë urdhërpagesën ndaj furnitorit të huaj duhet të depozitojë pranë bankës kopje të deklaratës doganore të importit dhe kopje të noterizuara të kontratës me kompaninë nga jashtë shtetit, ose faturës ku janë blerë mallrat e importuara.

Detyrimet tatimore

Bizneseve u krijohet mundësia që të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore e doganore të padeklaruara për periudhën deri më 31 dhjetor 2010 dhe, nëse paguajnë 50% të diferencës që rrjedh nga ky vetëdeklarim, u falet pjesa tjetër së bashku me gjobat e kamatëvonesat që do të aplikoheshin. Ata që paguajnë 100% të këtij borxhi për vitin 2010, u falen pjesa e detyrimit, gjobat dhe kamatëvonesat.

Sigurimet shoqërore

Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2008. Falen edhe 2 vjetët e fundit, nëse paguajnë sigurimet për vitin 2011. Kësaj kategorie, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, i falen gjobat dhe kamatëvonesat për gjithë periudhën e kaluar. Personave fizikë-biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatëvonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 dhjetor 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›