E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi TAP, kërkohet shtim kapaciteti

27/02/2012  Përzgjedhja e gazsjellësit që kalon nga Shqipëria sjell reagimin e Europës

Komisioni Europian: Të shtohet kapaciteti nga 10 në 20 miliardë metër kub

Me eliminimin e projektit ITGI nga gara e transportimit të gazit azer në Europë, Bashkimi Europian po ndërgjegjësohet që TAP jo vetëm që kthehet në një projekt favorit, por ndoshta është më i favorizuari për të fituar dhe për t’u ndërtuar shpejt. Sipas Komisionit Europian, nëse përzgjidhet TAP, atëherë ai duhet të zgjerohet me 20 miliardë metra kub për t’i sjellë sasinë e duhur të gazit tregut europian. “Nëse përzgjidhet një gazsjellës i vogël si TAP, atëherë ne duam të shohim që kapaciteti i TAP, që aktualisht është 10 miliardë metër kub, të zgjerohet brenda një dekade deri në 20-30 miliardë metër kub. Kjo është sasia e gazit për të cilën ka nevojë Europa, pasi kërkesa për gaz në Europë do të jetë në rritje. Ne duam të shohim që ky shtim i sasisë së gazit të vijë në të ardhmen nga Azerbajxhani dhe Turkmenistani, nga rajoni kaspik", - u shpreh zëdhënësja e Komisionit, Marlene Holzner. Komisioni Europian këshillon nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare midis të gjitha shteteve të projektit TAP, për të evituar çdo lloj surprize në të ardhmen, kryesisht ndërprerjen e gazit, siç ka ndodhur me furnizimin e BE-së me gaz nga Rusia. Ndalur në këtë çështje, Holzner nënvizoi se “nevojitet një marrëveshjeje ndërkombëtare midis të gjitha shteteve të projektit, në mënyrë që të njohim se mbi çfarë parimesh do të ndërtohet ky gazsjellës. Për shembull, të mundësohet furnizimi pa ndërprerje i gazit, në rast ndërprerjeje, shtete duhet të informojnë njëri tjetrin, çfarë kuote do të përdoret në rast se do ketë një konflikt. Pra, kompanitë europiane kërkojnë nga ky gazsjellës sigurinë e furnizimit me gaz. Ky është qëllimi ynë kryesor".

Rëndësia

Përveç fitimeve të shumta ekonomike që i sjell Shqipërisë, përzgjedhja e TAP ndryshon krejtësisht qasjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë, si një partner të rëndësishëm të furnizimit të Europës me gaz dhe e kthen gjithashtu Shqipërinë në epiqendër energjetike.

Aksioneët

Aksionerët e TAP janë “EGL” e Zvicrës (42.5%), “Statoil” e Norvegjisë (42.5) dhe “E.ON Rughrgas” e Gjermanisë (15%). Gjatësia totale e gazsjellësit është rreth 800 kilometra. Kapaciteti fillestar i gazsjellësit të TAP do të jetë 10 miliardë metër kub në vit.

Reshjet

Niveli i Fierzës, del në sipërfaqe Kukësi i vjetër

Në deltën ku bashkohen Drini i Zi dhe Drini i Bardhë tashmë ka dalë në sipërfaqe skeleti i Kukësit të vjetër, i cili u përmbyt pikërisht për t’i lënë vendin hidrocentralit të Fierzës në vitet ‘70 të shekullit të shkuar. Prurjet aktuale llogariten në rreth 100 metra kub në sekondë, një shifër mjaft e ulët për stinën e dimrit. Njohësit e fushës tregojnë se shumë rrallë ka qëlluar që Drini i bashkuar dhe lumenjtë e tjerë më të vegjël të sjellin kaq pak ujë në liqen. Kjo prurje e paktë ka bërë që gati krejt kupa e liqenit të shterojë dhe hidrocentrali t’i afrohet pikës së pashfrytëzueshme. Niveli aktual i liqenit është rreth 253 metra mbi nivelin e detit, vetëm 10 metër larg pikës kritike. Si pikë e vdekjes shpesh merret si referim kuota 237 metra mbi nivelin e detit, por kjo kuotë i takon llogaritjes në vitet e para të punës, kurse, siç thuhet nga specialistët, deri në një nivel të caktuar liqeni tani është i mbushur me lëndë inerte nga prurjet e ujit. Kurse si pikë maksimale llogaritet kuota 296 metra mbi nivelin e detit, një kuotë që është arritur disa herë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›