E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncensioni Rruga e Kombit, në garë 5 kompani

28/02/2012  Pesë kompani kanë dhënë ofertat e tyre për të fituar të drejtën e marrëveshjes koncesionare për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Sipas zëdhënëses për shtyp të Ministrisë së Transporteve, Arminda Qylafky, pjesë e kësaj gare janë kompanitë “Strabag & Intertoll Consortium”, “J&P-Avax & Egis Consortium”, “Hochtief PPP Solutions GMBH”, Autostrada Brescia – Verona – Vicenza – Padova SPA dhe Vinci Concessions SAS – Aktor Consessions SP. Dorëzimi i ofertave, sipas kushteve ligjore, u bë gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Transporteve, ku dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave bëri regjistrimin dhe marrjen e tyre në dorëzim. Kompania koncesionare, që do të shpallet fituese pas pak ditësh, duhet të marrë përsipër dhe të kryejë disa funksione, si operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, operimin dhe mirëmbajtjen e tunelit, mbledhjen e të ardhurave nga tarifat e përdormit të rrugës, si dhe punimet shtesë për stabilizimin e skarpatave përgjatë rrugës. Sipas Zv/ministrit të Transporteve, Ernest Noka, njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shqyrtimi i dosjeve pritet të bëhet brenda 10 ditëve, nga 30 ditë që është afati maksimal, në mënyrë që të bëhet kualifikimi fillestar. Pesë kompanitë që kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar janë të huaja, dhe 4 prej tyre kanë eksperiencë në vendin tonë, në disa vepra të ndryshme. Sipas rregullores, koncesionari do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, të tunelit të Thirrës, funksionimin e një sistemi të hapur tarifash, mbledhjen e të ardhurave nga tarifat, si dhe punimet shtesë për stabilizimin e skarpatave. Gjithashtu, pjesë e detyrave të kompanisë së përzgjedhur do të jetë edhe ndërtimi i tre kryqëzimeve në segmentin e III-të të autostradës, ndërtimi i kryqëzimit në Kalimash, dublimi i segmentit të I-rë ( Milot- Rrëshen) të autostradës, si dhe ndërtimin e një ure të re të Drinit dhe tunelit vijues në Kukës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›