Amnistohen 870 milionë lekë borxh të klubeve

Në total bëhet fjalë për një shifër të konsiderueshme, afro 870 milionë lekë (të vjetra), të cilat janë akumuluar me kalimin e kohës, për pjesëmarrjet në aktivitete, detyrimet financiare nga gjoba dhe kartonë, pagesa gjyqtarësh, sa për të përmendur disa. Pothuajse të gjithë përfaqësuesit e klubeve ishin dakord me “amnistinë”, duke konfirmuar edhe një herë problemet e mëdha financiare që kanë klubet e futbollit në Shqipëri.
Buxheti
Në momentin kur kërkohej miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, drejtuesit e FSHF-së kanë paraqitur arritjet në aspektin financiar të institucionit që drejton futbollin.
Buxheti i ri është më i madh se 4,2 miliardë lekë (rreth 3,7 milionë euro nga 3,2 milionë euro që ishte buxheti i mëparshëm). Kjo u vlerësua me nota pozitive nga federata, por nxiti “lakminë” e klubeve, të cilat kërkonin që diferenca prej afro 500 mijë eurosh të shpërndahej në formë shpërblimesh për klasifikimin në kampionat.
Ideja u hodh nga presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj dhe fillimisht u mbështet nga disa përfaqësues të tjerë klubesh. Edhe pse u paraqit me vonesë në Asamble, njëshi i bluve kryeqytetas, nuk ngurroi të deklaronte se shpërndarja e parave si premio për çdo vend do të rriste konkurrencën.
“Në këtë mënyrë të gjithë do të luftonin deri në fund, pasi një vend më lartë në klasifikim do të thoshte më shumë lekë dhe nuk do shpërblehen vetëm ato që fitojnë kampionate apo kupa”.
Debati
Në teori, ideja e Sulajt nuk ishte pa baza, madje ajo përdoret edhe në disa kampionate të mëdha në botë. Megjithatë, krerët e FSHF-së e cilësuan të pamundur që të gjitha fondet shtesë të shpenzoheshin njëherazi.
Këtu u hodh në lojë “asi nën mëngë”, pra borxhet e mëdha që klubet i kanë FSHF-së. Teza e mbrojtur nga presidenti Duka ishte se, nëse do të bëhej falja e tyre, ishte e pamundur që shtesa në buxhet të kalonte edhe në formë shpërblimi.
Për më tepër që, federata i ka toleruar klubet, duke i lehtësuar nga pagesa e gjyqtarëve, kosto e të cilës është 500 milionë lekë të vjetra.