Tiranë, ankohen banorët e një pallati

Në kryeqytetin tonë është kthyer në fenomen ndërhyrja në bodrumet e pallateve, shndërrimi i bodrumeve në dyqane apo lokale.
Ata që e pësojnë janë gjithmonë banorët e pallateve, që jetojnë me frikë në zemër, duke pritur një shembje të banesave të tyre. Në Rrugën e Barrikadave në Tiranë po ndërhyhet në muret mbajtëse të një bodrumi. Bëhet fjalë për disa bodrume në pallatin 218 në kryeqytet.
Bodrumi po kthehet në pub, ndërkohë që janë prishur muret mbajtëse, duke rrezikuar kështu jetën e banorëve që jetojnë në këtë pallat.
Banorët kanë shkuar në çdo institucion për të parandaluar katastrofën që mund të ndodhë. “Po na bie suvaja, do të fundosemi ndonjë ditë”, ankohen banorët e pallatit 218 në kryeqytet.
Së bashku me banorët, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në zyrën urbanistike të njësisë bashkiake Nr. 9 të Tiranës. Punonjësi i kësaj zyre, Robert Kureta, premton se do të verifikojë të gjitha kushtet dhe ata si zyrë do t’u drejtohen institucioneve që
duhet të ndërhyjnë, siç është Inspektorati i Ndërtimit dhe Bashkia e Tiranës.
Kryeqyteti ynë është i tejmbushur me mbishtesa që janë ndërtuar mbi pallatet ekzistuese dhe me lokale apo dyqane që kanë prishur muret mbajtëse. Si mbishtesat, ashtu edhe zgjerimi i kateve të para e bodrumeve janë ndërtuar në rastet
më të shumta te pallatet e ndërtuara para viteve 1990, pa asnjë projekt
tekniko-ligjor.