E Diel, 1 Nëntor 2026

Amortizimi i rrugës, banorët e Fierit, paralajmërojnë bojkotimin e zgjedhjeve

Ndonëse edhe më parë ishte paralajmëruar për një bojkot të mundshëm të  votimeve më 28 qershor, një ditë para zgjedhjeve, ky paralajmërim është konkretizuar nga banorët e  zonës së Krapsit, në rrethin e Fierit. Banorët e katër fshatrave në rrethin e Fierit kanë paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve, për faktin se rruga e tyre është lënë pas dore dhe nuk është rregulluar deri më tani nga asnjë deputet i zonës, edhe pse premtimet sipas tyre kanë qenë të shumta. Ditën e djeshme, banorët kanë zbarkuar në qendër të fshatit, ku të gjithë njëzëri kanë deklaruar se nuk do të votojnë ditën e sotme për asnjë forcë politike, pasi janë të zhgënjyer nga 18 vjet qeverisjeje. Nuk do të votoj asnjëri nga ne. E kemi marrë këtë vendim të gjithë bashkë, pasi askush nuk na ka trajtuar si të barabartë mes të barabartëve. Tek ne vijnë sa herë që kërkojnë votën duke na përdorur si mbushës, por kjo nuk ka për të ndodhur më. Të na lënë të zhvillojmë jetën tonë kështu si të mundim, pa dorën e shtetit, i cili na ka munguar prej kohësh, kanë deklaruar pothuajse njëzëri në turmë, të gjithë protestuesit. Ditën e djeshme, banorët të irrituar janë shprehur se nuk do të linin askënd të dërgonte materiale zgjedhore në qendrat e tre fshatrave, Kraps, Plyk, Mbyet dhe Lalar, duke penguar ndër të tjera edhe punën nga komisionerët në këto qendra votimit. Në rast të kundërt, banorët kanë paralajmëruar nëse këto materiale do të dërgohen nëpërmjet komisionerëve të huaj, jashtë zonën së tyre, ata theksuan zhvillimin e gjesteve që nuk do ti pëlqjenë askujt. Banorët e këtyre katër fshatrave në komunën e Portëzës në rrethin e Fierit, i kanë bërë disa herë thirrje qeverisë shqiptare për një investim në këtë aks rrugor, që shkon rreth 13 km. Kjo rrugë ka qenë gjithmonë një objekt referimi për të gjithë deputetët, që kandidojnë por që çuditërshit ka mbetur tejet e amortizuar. Banorët të irrituar tregojnë se për të lëvizur nga këto fshatra deri në qytetin e Fierit, i cili është fare pranë u duhet një kohë shumë e gjatë deri në destinacion, ndërsa një problem për ta edhe më i rëndë janë rastet e të sëmurëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›