Skulptura e Parkut 2009 starton në qytetin e Korçës
Në qytetin e Korçës ka startuar edicioni i dytë ndërkombëtar Skulptura e Parkut - Korça 2009, ku skulptorët kanë nisur gdhendjen e tyre në parkun Rinia të këtij qyteti të Korçës. Ky aktivitet, i cili ka nisur në datën 25 korrik do të vazhdojë deri në datën 6 korrik. Aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës. Blloqe guri në ngjyrë qumështi më shumë se dy metra të gjatë janë shtrirë mbi barin e parkut, ndërsa rrotull tyre vijnë njerëz me maska dhe mjete prerëse në duar.
Pak më tutje, shtrirë qëndron një skulpturë guri ngjyrë gri që paraqet një grua: është krijim i vitit 2008 nga Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës, organizuar për herë të parë në Korçë dhe në Shqipëri. Ashtu si edhe vitin e kaluar, të gjitha punët e skulptorëve do të realizohen në natyrë tek Parku "Rina, dhe puna ka filluar në të njëjtin vend këtë fundjavë. Bordi drejtues i aktivitetit, së bashku me një juri ndërkombëtare, ka seleksionuar tetë projekte skulpture ndër 80 projekte konkurrente të paraqitura përmes internetit, dhe tashmë skulptorët e mbledhur, kanë nisur punën për të krijuar art me blloqet masive të gurit, që ende nuk kanë marrë formë. Veprat kryesisht abstrakte do të realizohen në blloqe gurësh me dimensione të paracaktuar nga artistët, që vijnë nga vende të ndryshme si Gjermania, Italia, Japonia, Egjipti, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re. Organizatorët e këtij aktiviteti bëjnë të ditur se skulptorët që vijnë nga vende të ndryshme të globit dhe nacionalitete të ndryshme, me formim të ndryshëm kulturor nga njëri-tjetri, do të realizojnë veprat e tyre në natyrë, të cilat më pas, do të vendosen në parqet e qytetit. Këto blloqe guri të sjella këtë vit nga Skrapari, do të sjellin struktura më interesante të krijimeve në skulpturë. Ky edicion do të jetë shumë interesant dhe cilësor dhe do të shënojë arritje të reja në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës. Motivet që do të realizojnë skulptorët pjesëmarrës janë të ndryshme.