Ana Bolena, sukses i ri, pa mëdyshje, i Teatrit të Operas
1. I ngazëllyer menjëherë pas premierës, desha të shkruaj për këtë opera, pastaj më zhgënjehu një shkrim (i vetmi negativ), mbi këtë çfaqje dhe për disa ditë u mora me tjetër gjë, kur pas disa ditësh, shoh se TVSH-ja po jepte “Ana Bolenën”, e ndoqa përsëri deri në fund dhe e ndjeva se shkrimi mbi të nuk mund të shtyhej më. 2.“Bumi” i madh spektakolar i viteve të fundit në TKOB, premierat e njëpasnjëshme që ky teatër po i jep publikut të kryeqytetit, niveli i lartë artistik; rritja e ndjeshme e numurit të shikuesve; interesimi i publikut për t’u njohur me vepra gjithmonë e më përfaqësuese të gjinive të opërës dhe baletit; përballja e suksesshme e trupës së këtij teatri me krijime të mëdha nga fondi historik i muzikës skenike europiane; bashkëpunimi krijues i ndërsjellë me një sërë teatrosh lirikë të vendeve të tjera në prodhime të përbashkëta; dalja shpërthyese në skenat e operistike të mbarë botës e artistëve tanë lirikë dhe të baletit, shtron mbi tryezë problemin e mungesës së kritikës profesionale në mediat e shkruara dhe ato elektronike, që të vlerësojë me kompetencë arritjet dhe të bëjë vërejtje konstruktive, të verë pikat mbi I atje ku duhet dhe si duhet. Mungesa e këtyre penave të nivelit, jo rrallë e ka lënë punën në duar diletantësh të gazetarisë që këpusin të “trasha e të holla” dhe të ngrehin flokët përpjetë kur i lexon. Kjo natyrisht nuk u bën nder gazetave që ua servirin lexuesve të tyre.
3. I urti, sa më shumë të dijë rreth një fushe të artit, aq më i matur është në të shprehurit e mendimeve ekstreme mbi krijime të asaj fushe; kurse diletanti gjysmak, sa më pak di, aq më guximtar bëhet për të folur “kodra mbas bregut...”
I nënshkruari, në fillim u çudit kur lexoi shkrimin me titull Ana Bolena anemike, të firmosur nga një gazetare mbi një ngjarje të shënuar të stinës së tanishme operistike në Teatrin e Operës dhe Baletit, realizimin e operës “Ana Bolena”, por pastaj i shkoi mendja, se ndoshta dikush tjetër qëndron prapa kësaj vajze modeste që ka dhënë emrin, ndërsa ajo tjetra ndjek edhe në fushën e arteve politikën e njohur të gazetës por edhe prirjen personale të saj që mohon e denigron gjithshka të mirë e të bukur që krijohet në këtë vend në ditët e sotme. “Po pse merr mundimin të shkruash e t’i përgjigjesh një artikulli pavlerë?! Nuk mendon se duke u marë me të, i jep një farë rëndësije që nuk e ka?!”- këto më thosh gruaja, kur nisa të hedh në kartë shkrimin që kam në dorë. Jo, ai nuk është reçension pa rëndësi- iu përgjigja-, ai ka rëndësi negative, sepse orvatet të shkatërrojë vlera me anë të mohimit të tyre. Mos harro, se në Shqipëri ende nuk është shuar tërësisht mendësia e kohës së regjimit, kur thuhej “e tha radioja”, “e shkroi gazeta!” pra, është e vërtetë e padiskutueshme.
Këta artikujshkrues, edhe në paçin qëllime të mira apo të këqia, duhen ndihmuar me disa mësime elementare njohëse mbi gjininë muzikore-skenike të operës, mbi atë se si funksionon sot kjo punë, mbi termat që këta shpesh i përdorin sëprapthi, mbi sistemet e menaxhimit modern në teatrot europianë të operës dhe baletit, mbi atë çka është primare në këtë gjini dhe çka është plotësuese (e domosdoshme por gjithsesi plotësuese).
Fatkeqësisht për disa gazetare, që dinë të klikojnë në Internet e t’i bëjnë pyetje Guglit dhe Vikipedias, burime këto që të informojnë për shumë gjëra, por nuk të mësojnë elementaret, pikërisht ato që këtyre vajzave, u mungojnë. Unë njoh disa nga këto gazetare të reja prej një fushë tjetër skenike, ajo e teatrit dramatik, sepse ato shkruajnë për gjithshka që ka të bëjë me “sektorin” e kulturës dhe artit në gazetë, qysh nga ekspozitat e arteve pamore tek muzeumet, nga muzika e lehtë tek festivalet e filmit, nga paradat e miseve dhe modës, deri tek vallet popullore e baleti klasik e gjer te dans teatri i Prevazit! E, në këtë shumësi “eventesh”, ç’të mësojnë përpara të shkretat?!
Në shkrimin që po shqyrtojmë, ato na thonë naivitete të këtilla: “Përse u hapen kaq lehtë dyert të huajve në Shqipëri?” “Pse merrni këngëtarë e dirigjentë të huaj, kur kemi tanët?!”. Pra, duket sheshit se ato që drejtojnë kësilloj pyetjesh me përgjigjen brenda, nuk e kanë fare idenë se si funksionojnë sot këto punë! Përgjigja ime, e thjeshtuar në nivelin e fillores, është kjo: sepse edhe teatrot e huaj marrin këngëtarët, balerinët, dirigjentët tanë në spektaklet e tyre! Madje ata marrin më shumë nga ne se sa ne nga ata. Ky quhet kooperim ndërkombëtar, nëqoftëse nuk e kini dëgjuar ndonjëherë. Në saje të këtij sistemi, artistët shqiptarë, këngëtarë lirikë, instrumentistë, dirigjentë, balerinë, të rritur e të shkolluar në sistemin tonë të arsimit profesional, të provuar e të njohur sëpari në skenën e këtij teatri të lavdishëm në Tiranë, në këto njëzet vjet, rritin njohjen dhe vlerën e vendit tonë të vogël në të gjitha skenat operistike të botës së madhe, në të gjithë kontinentet e planetit, nga Europa deri në Australi. Emrat e Inva Mulës, Agim Hushit, Josif Gjipalit, Saimir Pirgut, Ermonela Jahos, Gëzim Myshketës, Orjana Kurteshit, Ergys Mitës, Kreshnik Zhabjakut e të tjerëve, janë nga më të kërkuarit artistë lirikë në tregun operistik ndërkombëtar. Dhe lista e kësaj elite, vjen duke u shtuar me emra të rinj. Pas sukseseve të njëpasnjëshme këtu, është në prag të “fluturimit” përtej, mexosopranoja e rrallë dhe aktorja e shquar Vikena Kamenica; në këto ujra noton edhe tenori elegant e simpatik Armaldo Kllogjeri. Mos duhet t’u themi të “huajve”, na i ktheni këtu solistët tanë që këndojnë tek ju se ne duam të mbyllemi sërish në kuvlinë e Enver Hoxhës?! Moj kritike të improvizuara, e kini dëgjuar ndonjëherë emrin e Lukë Kaçajt? Ka qënë basi më i madh i planetit në kohën e vet, por planeti e njohu pak sepse ai jetoi, këndoi dhe vuajti nën diktaturën enveriste. Po tenorin e shquar Stavri Rafaeli që tentoi të thyente kufirin për të dalë në liri, atje ku e prisnin skenat e Europës dhe përfundoi 17 vjet në burg? Të dy kanë qënë yje të këtij teatri për të cilin po flasim. E gjithmonë e më shpesh, po vihet pyetja: ç’është kjo çudi me gjithë këta zëra magjike që lindin në gjirin e popullit tonë të vogël në numur?! Franz Helmeri në artikullin e tij ANA BOLENA A L’OPERA DE TIRANA, tejet vlerësues për Teatrin tonë të Operës, për shkollën shqiptare të kantos, për spektaklin dhe protagonisten Marjana Leka, në mbyllje të shkrimit, thotë: “...y a-t-il un mystere des voix albanaises?” (ka një mister tek zërat e shqiptarëve?)
Le ta mësojnë, ata pak që nuk e dinë, se këngëtarët e shquar lirikë, përgjithësisht, lindin e formohen nga ana profesionale në vendin e tyre, hedhin hapat e para dhe sukseset përcaktues po aty, por pastaj nuk i përkasin më vetëm vendit që i lindi dhe i rriti, i përkasin gjithë botës. Gjinia muzikore-skenike operës, jeton e gjallërohet edhe në këtë shekull të ri, falë këtij sistemi çkëmbimesh të lira, pa kufij.
Nëqoftëse sot ka një institucion që i paraprin hyrjes së vendit tonë në BE, ky quhet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i cili dezha është brenda me të dy këmbët. Kjo në sajë të mençurisë menaxhuese të drejtorit Zhani Ciko, këtij dirigjenti e organizatori të palodhur që ka bërë të mundur një seri të pandalshme realizimesh të mëdha kooperuese në këto vite që ai drejton këtë teatër lirik dhe shpresojmë të ketë energji edhe për shumë vite të tjerë. Opera e baleti janë gjini tepër të kushtueshme në skenografi e në kostume, vetëm lidhjet miqësore të Cikos me një sërë drejtorësh të operave europiane, e kanë zgjidhur problemin duke huajtur prej tyre për përdorim të përkohshëm kostume dhe dekore, madje në ndonjë rast, edhe të përhershëm. Ndryshe do të ishte e pamundur, të realizohej ai numur aq i lartë i spektakleve operistikë.
Duke iu rikthyer shkrimit mbi aneminë e hamendësuar, në të cilin spikat jo vetëm injoranca në trajtën e mosdijes, por edhe mungesa e respektit për vlera dhe kontribute të njohura artistike, mosnjohja as minimale e etikës së të shprehurit dhe kulturës qytetare. Kjo “vogëlushe” (që një i paedukatë mund ta kishte quajtur edhe “spurdhjake” por autori i këtij shkrimi nuk e bën këtë gabim), merr guximin që ia jep papjekuria dhe i drejtohet një mjeshtreje të njohur e të respektuar të belkantos shqiptare, në kulmin e pjekurisë së vet vokale, duke e quajtur anemike. Dhe pse vallë? Sepse“i vetmi shpëtim dhe mjet i sopranos, edhe këtë herë, është zëri”. Mirë moj kompetente, në mos zëri, çfarë tjetër mund të jetë “mjet dhe shpëtim” për një këngëtar, takat e këpucëve?! Vështirësia e realizimit muzikor të këtij personazhi të Donixetit, është pikërisht në teknikën e komplikuar të vokalit dhe kjo është pika më e fortë e Marjana Lekës. Mirëpo, këtë pikë recenzentja e improvizuar e quan dobësi. Mos kemi faj ne, që opera është dramë e kënduar?! E pastaj, ç’mund të bëjmë duke dëgjuar e lexuar këto absurditete, të çjerrim faqet? Faqet, më mirë le t’i çjerrin ata që i shkruajn e i botojnë të këtilla shkrime.