Bakaj nuk bind trajnerin e Hanoverit
Elis Bakaj ka pak shanse që të qëndrojë te Hanoveri, pasi trajneri i kësaj skuadre u ka lëshuar mesazhe jo fort pozitive drejtuesve të klubit në lidhje me shqiptarin. Fantazisti i Dinamos ka luajtur si titullar në ndeshjen kundër turqve të Kaiserisporit ku Hanoveri humbi 2-0. Bakaj është përpjekur me të gjitha forcat të shfrytëzojë rastin dhe media e ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e tij ndryshe nga miqësorja kundër Cërvena Zvezdës, por gjithsesi, kjo nuk i ka mjaftuar trajnerit Mirko Slomka. Slomka ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij në pjesën e dytë të takimit, por duhet theksuar se Bakaj nuk luajti në 45- minutat e dyta. Kur është pyetur për paraqitjen e mesfushorit shqiptar, trajneri i Hanoverit ka thënë: “U përpoq shumë dhe e pashë se ka vullnet për të bërë gjithnjë maksimumin, por është shumë statik në fushë. Sot (të premten) ai luajti si mesfushor i avancuar, por nuk mund të them se më la shumë mbresa. Nuk është nga ata lojtarë për të cilët mund të them: Uau, çfarë talenti!”, është shprehur tekniku gjerman për “ts-online.de”. Sipas komentit të shtypit sportiv në Gjermani, kjo mund të merret edhe si një “jo” nga ana e trajnerit të Hanoverit, pasi mesazhi për drejtuesit e klubit ka qenë mëse i qartë. Gjithsesi, lojtari do të vazhdojë të stërvitet edhe për disa ditë në radhët e Hanoverit, duke shpresuar deri në fund se mund të firmosë për klubin e Bundesligës 1.