E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Serbia t’i përmbahet vendimit të Gjykatës. BE: Koha për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve

Pavarësia e Kosovës, e drejta shqiptare triumfoi në piedestalin më të lartë të së drejtës së njerëzimit


Kryeministri shqiptar Sali Berisha vlerësoi sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të shpallur të ligjshme pavarësinë e Kosovës. Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se ky vendim ishte një arritje e madhe që pak vite më parë askush nuk mund ta imagjinonte. “Ky verdikt nuk mund të ndalonte një realitet në pandalshëm dhe gjithashtu ka hequr çdo barrierë interpretative të këtij akti madhor siç është shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dëshiroj që ky verdikt të ndihmoj procesin e integrimit europian të këtij rajoni dhe respektimi i tij përbën një bazë shumë solide për të promovuar më tej idealet europiane të cilat janë predominuese në mbarë popujt e këtij rajoni”- theksoi kryeministri Berisha. Kryeministri tha se për herë të parë në historinë mijëravjeçare të kombit tonë e drejta shqiptare bëhet e drejtë botërore dhe ngrihet në piedestalin më të lartë të së drejtës së njerëzimit. “Kjo përbën një arritje që pak vite më parë askush nuk mund ta imagjinonte”- tha Berisha. Më tej shefi i qeverisë theksoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar të punojë për një dialog mes dy palëve dhe në këtë drejtim të inkurajojë autoritetet e Kosovës për përpjekje serioze për rregullim e marrëdhënieve me Beogradin. “Drejtësia u bë dhe në këtë kontekst palët kanë detyrimin të nxjerrin të gjithë konkluzionet dhe ti bëjnë ato që të zbatohen në të mirë të dy shteteve”- vuri në dukje shefi i ekzekutivit Sali Berisha.


Reagimi i djeshëm i kryeministrit Berisha, menjëherë pas shpalljes së vendimit nga GJND-ja


Sali Berisha Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar vendimin e djeshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, si "një bazë të shkëlqyer mbi të cilën mund të ndërtohen marrëdhëniet e mirëbesimit, bashkëpunimit dhe kooperimit, që duhet të synojnë ndërtimin e idealeve europiane të shqiptarëve, serbëve dhe të gjithë qytetarëve të rajonit". Ndërsa pavarësia e Kosovës është njohur nga 69 vende në këto më shumë se dy vite, Berisha ka deklaruar për mediat, pak minuta pasi GJND shpalli opinionin se njeh pavarësinë e Kosovës e se "gjykata e Hagës faktoi para gjithë planetit se pavarësia e Kosovës ishte më se e drejtë". “Gjykata e Hagës, trupi gjykues më i lartë i botës, u faktoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymë dhe gërme të plotë me të drejtën ndërkombëtare. është në frymë dhe germë të plotë me të gjitha rregullat, rezolutat, rregulloret. Ky është një vendim historik, një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë”, tha Berisha. Kryeministri Berisha komentoi se vendimi i gjyqtarëve vërtetoi të drejtën e popullit kosovar për pavarësi e vetëvendosje dhe mbylli kapitullin e dhimbjeve dhe vuajtjeve që ka kaluar kombi shqiptar. “Me analizën dhe mendimin e tyre, trupi gjykues i gjykatës më të lartë të botës faktuan në mënyrë të pakundërshtueshme se shpallja e pavarësisë ishte rezultat i pashmangshëm, ishte e drejtë e patjetërsueshme e përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Ky vendim është gjykimi dhe hedhja poshtë e të gjitha traktateve që ranë mbi kombin shqiptar dhe i shkaktuan atij dhimbje, vuajtje dhe sakrificat më të mëdha dhe më të rënda”, theksoi Berisha. Ai cilësoi se vendimi i GJND-së përbën mbështetje, inkurajim dhe detyrim të madh që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsolidimin e paqes stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, që shqiptarët duhet të ndërtojnë idealin e tyre europian, aty ku janë, më vendosmërinë më të madhe, si interesin më jetik kombëtar të tyre. Për Kryeministrin e Shqipërisë, tashmë për Kosovën, por edhe për Serbinë hapen perspektiva të reja, të cilat udhëhiqen nga ideali për anëtarësimin në BE. “Dy vende, pavarësisht nga historia e shkuar, tani kanë të përbashkët idealin evropian. Shqipëria është e vendosur të japë gjithë kontributin e saj për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Tiranës dhe Beogradit dhe mes Prishtinës dhe Beogradit”, u shpreh Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se vendimi i GJND-së i dha fund pazareve për ndarje e shkëmbime territoresh. Kryeministri i Shqipërisë theksoi ndër të tjera se me vendimin e saj GJND ka dhënë mbështetjen më të fuqishme pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 69 vende të ndryshme të botës, ndërsa nënvizoi se "22 korrikun duhet ta shndërrojmë në ditë paqeje për bashkëpunim, mirëkuptimin dhe përpjekje të përbashkëta, për të ardhmen europiane".


Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj më tej interesit të medias Zoti Kryeministër, opozita sot ...? ... Sot është historia. Opozita është histori, por është e përditshme. Ndërsa kjo një herë në shekull ka ndodhur. Shqiptarët kanë që nga viti 1913, viti i Traktateve famëkeqe, që kanë derdhur lumenj gjaku dhe sakrificash për këtë ditë. Pavarësia e Kosovës ishte e parikthyeshme, ishte e njohur nga bota e lirë në tërësinë e saj. Por kjo nuk zbeh aspak vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare. Për shqiptarët ky vendim do të mbetet një vendim hyjnor, pothuaj, në historinë e tyre. Ky vendim pritej nga shumë e shumë vende të botës, të cilat kishin respektin më të madh për sakrificën dhe vuajtjen e qytetarëve të Kosovës, të cilat në vitin ’93-’94 kishin votuar një rezolutë me 137 vota pro të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje, por gjykata dhe çështja në gjykatë i bëri ata të mos i marrin vendimet që, uroj dhe shpresoj, do t’i marrin në përputhje me vendimin e gjykatës, gjë e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për paqen, stabilitetin në rajon.


A mendoni se Shqipëria e ka plotësuar misionin e saj në lobimin për pavarësinë e Kosovës? Një gjë mund t’ju them për sa i përket Shqipërisë. Shqipëria ka bërë çdo përpjekje të mundshme për të ndikuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në të gjitha takimet ndërkombëtare të Kryeministrit, të Presidentit të Republikës, të Kryetares së Parlamentit, të Ministrit të Jashtëm, çështja e parë në axhendën e këtyre takimeve, pa diskutim, ka qenë njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo është një betejë që vazhdon, por duhet të themi të vërtetën se vendimi i Gjykatës së Hagës i ka dhënë mbështetjen më të fuqishme pas njohjes nga 69 vende këtij procesi. Ne, përveç kësaj, kemi pasur në mënyrë të vazhdueshme emisarë të posaçëm, kemi trokitur në kancelaritë e të gjitha kontinenteve. Në bashkërendim me qeverinë e Kosovës do të vazhdojmë përpjekjen tonë pa ndërprerje.


Pak kohë më parë u hodh ideja për këmbim territoresh në veri të Kosovës, cili është komenti juaj për këtë? Gjykata e Hagës, siç e dëgjuat, deklaroi se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen, asnjë germë, asnjë fjalë, të gjithë dokumentacionin ndërkombëtar që bazohet mbi kufijtë aktual të Kosovës. Qëndrimi im është i njohur: jam kategorikisht kundër çdo përpjekjeje për pazare territoriale. Kjo Gjykatë i dha fund, mbylli në mënyrë përfundimtare kapitullin e pazareve territoriale me shqiptarët. E theksoj edhe një herë se është e vërtetë që janë të vendosur në 4 shtete, por është e vërtetë se janë të lirë dhe është e vërtetë se ideali evropian i tyre është interesi jetik i tyre. Ndaj dhe kam besimin më të madh se ky është qëndrimi i autoriteteve të Kosovës, ky është qëndrimi i vendeve të tjera të rajonit përveç Serbisë dhe, fatmirësisht, qëndrimi më i palëkundur në këtë drejtim, siç është faktuar 20 vitet e fundit, ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës fuqive të mëdha të Evropës, të cilat për asnjë moment nuk kanë lejuar dhe nuk kanë pasur shkarjet më të vogla në drejtim të ndryshimit të kufijve aktual. Sepse kjo do të hapte një spirale të re në një zonë shumë delikate. E kam theksuar dhe e theksoj: me pavarësinë e Kosovës fluiditeti i statusit të shqiptarëve në Ballkan merr fund, zgjidhet, konsolidohet. Ato çka mund të shqyrtohet janë disa atribute të veçanta për territore të caktuara, por në asnjë mënyrë shkëputje. Dhe, gjithnjë në mënyrë reciproke. Se nuk mund të kërkohet më shumë për Zapodin se do t’i japësh Preshevës. Nuk mund të ndahen në qytetarë të dorës së dytë dhe të dorës së tretë. Këtu mund të ulen dhe të përcaktohet në respekt të plotë të integritetit dhe kufijve. Specifika që i bëjnë të ndjehen më komodë dhe janë praktika që ekzistojnë në vende të Evropës. Evropa ka pasur probleme të kësaj natyre prore, por i kanë zgjidhur në bazë të këtyre parimeve. Ndaj dhe duhet të heqin idenë dhe mendimin e ndryshimit të territoreve. Të ngulitin idenë e idealit evropian, unë mund ta them këtu, si ideal kombëtar. Ky është më i miri për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popuj të tjerë që dalin nga një sagë vuajtjesh të pafundme. Sepse nuk janë vetëm shqiptarët që kanë vuajtur, kanë vuajtur edhe kombe të tjera. Siç dihet, madje në luftën e fundit boshnjakët kanë pësuar atë sa askush tjetër. Unë e shoh dhe jam i bindur se çdo përpjekje për shkëmbime është kundra rrymë dhe që nuk shërben aspak.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›