Ana Bolena
Lirika tragjike “Ana Bolena”, e kompozuar nga italiani i njohur Gaetano Donizetti, pritet të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit javën e parë të muajit qershor. Me libret të Felice Romanit, në këtë opera i këndohet jetës dhe vdekjes së gruas më të famshme të Mbretit Henriku VIII. Orkestra simfonike e TKOB-së do të drejtohet me këtë rast nga dirigjenti italian Vito Clemente. Ndërsa skenografia është e Pluton Bardhit. Kjo premierë lirike në dy akte, do të sjellë në Tiranë edhe një prej dueteve më të bukura të të gjithë repertorit operistik botëror, atë të titulluar "Sul suo capo aggravi un Dio" ndërmjet Anës që do të interpretohet nga një soprano dhe personazhit tjetër Jane Seymour, që do të interpretohet nga një mexosoprano. Për herë të parë kjo vepër lirike u ngjit në skenë në Milano më 26 dhjetor të vitit 1830. Donizetti e shkroi “Ana Bolenën” për vetëm 30 ditë. Kjo vepër u cilësua si suksesi i parë ndërkombëtar për Donizetti-n. Përmes kësaj lirike tragjike ai tregoi një pjekuri të plotë artistike. Akoma edhe sot, mendohet se kjo operë e kompozuar nga Donizetti për kohën, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme dhe krejtësisht e papritur për sa i përket krijimtarisë së kompozitorit “një itinerar kompozues donizettian korrekt”. Megjithatë, në krijimin e saj disa elemente kanë qenë favorizuese, sidomos në evolucionin e stilit të kompozitorit italian, duke i dhënë mundësi të sjellë për publikun e kohës zgjidhje dramaturgjike gjithnjë e më personale. Falë libretit, të mbështetur në disa burime letrare, Donizetti-t iu dha mundësia të përdorte një gjuhë dramatike të pjekur, të zotë, duke u imponuar me aftësitë shprehëse përtej formulave melodramatike të traditës operistike të kohës. “Ana Bolena” arriti një rezultat deri më atëherë ta padëgjuar. Ajo është një vepër që shikon si nga tradita ashtu edhe nga e ardhmja: heq dorë nga fundi i lumtur për të përqafuar gjininë e re të traditës romantike, duke i dhënë më shumë rëndësi psikologjisë së personazhit kryesor, një linjë që do të forcohet më tej në të tjera vepra mjaft të famshme të kompozitorit si “Lucia di Lammermoor”. Kjo operë sjell historinë e Ana Bolenës, gruas së dytë të Mbretit Henriku VIII i Anglisë. Ngjarjet nisin në kështjellën e Windsor-it në vitin 1536. Henriku, tashmë i lodhur nga Ana, kërkon të çlirohet prej saj, të gjejë një pretekst në mënyrë që të martohet me Jane Seymour. Ana, ende e paditur mbi fatin e saj, kërkon prehje pikërisht te Jane, e cila, nga ana e saj, duke mësuar mbi planet e Mbretit ka frikë për fatin e Mbretëreshës. Një këngë i kujton Anës dashurinë e parë të saj. Ndërkaq Jane takohet me Mbretin dhe mëson se ai do vërtet të martohet me të. Si justifikim për ndarjen nga Ana, Mbreti i thotë të dashurës se ka mësuar për një dashuri të shkuar të saj. Jane uron që kjo të mos kthehet në një ngjarje tragjike. Mbreti vendos që ta burgosë Anën, e cila përballet me dhimbjen dhe padrejtësinë, ndërsa Seymour ndihet në ankth dhe në faj për atë që po ndodhte. Ajo takohet fshehtas me Mbretëreshën për ta ngushëlluar dhe për të tentuar ta shpëtojë: nëse do të pranojë tradhtinë atëherë Ana do të falet. Përballë refuzimit të Mbretëreshës, Jane i tregon fillimisht Anës se Mbreti do një grua tjetër, e më pas i thotë se kjo grua është pikërisht ajo. E mallëngjyer Mbretëresha e fal dhe e ngushëllon rivalen e saj, duke i thënë “shko e palumtur”... Ana ndërron jetë, duke falur çiftin e ri mbretëror... Një operë e pasur me një intensitet të madh ritmik e muzikor, kjo vepër arrin kulmin e saj në Arien finale të Anës “Al dolce guidami castel natio”. Siç edhe ka shkruar muzikologu Philip Gossett, studiuesi i kësaj vepre, “skena që më shumë bënte për vete bashkëkohësit e Donizetti-t është skena finale... ‘një skenë e madhe’ që i kalon shembujt e mëparshëm për cilësi recitimi dramatik, për mënyrat e jashtëzakonshme, përmes së cilave Ana kalon nga ekuilibri në çmenduri, për ndjenjën e dramës dhe për harmoninë muzikore me të gjithë skenën”.
#