Eneida Tarifa fiton Me veten

“Për herë të parë ‘live’, ‘Top Fest’, edicioni i shtatë...”, ka nisur kështu ky edicion i jashtëzakonshëm i “Top Fest” në “Top Channel”, frazë e cila nuk ka lajmëruar vetëm interpretimin e këngëtarëve ‘live’, por edhe atë të orkestrës së madhe të “Top Channel”. Emocionet kanë nisur mbrëmjen e djeshme, që nga tapeti i kuq i shtruar në hyrjen e Pallatit të Kongreseve. Prej aty, ku shkelën jo vetëm këngëtarët pjesëmarrës në “Top Fest 7”, por edhe personazhe të ndryshëm të botës së spektaklit në vend, mori jetë një natë krejtësisht e veçantë, një spektakël i jashtëzakonshëm me risi të mëdha. Albana Osmani dhe Ledion Liço kanë prezantuar këtë spektakël të madh, një mbrëmje gala, një festival që meriton me të gjitha të drejtat të quhet i tillë. I elektrizuar, publiku nga salla kanë duartrokitur këngëtarët dhe grupet e tyre të preferuara, të cilët i kanë ndjekur hap pas hapi qysh nga fillesat e festivalit. çmimi i parë i dhënë natën finale ka qenë ai për “Videon më të Mirë”. Alban Skënderaj është ngjitur në skenë dhe ka hapur zarfin me emrin e fituesit. Këngëtarja Leonora Jakupi është shpallur fituesja e këtij çmimi. “Ishte një befasi shumë e këndshme”, ka thënë ajo mes emocionesh. Xhemi Shehu ka dhënë çmimin për “Këngën më të Mirë Hip Hop & RNB”, të cilën e ka merituar Jonida Maliqi dhe Big Basta. Jonida ka falënderuar “Top Channel” që u ka dhënë mundësi artistëve që më në fund të interpretojmë ‘live’ në një festival. “Energy Band” është vlerësuar me çmimin e “Top Albania”-s, të cilin ia ka dorëzuar grupit prezantuesja Arbana Osmani. Më të votuarit në internet prej shqiptarëve ka qenë dyshja Noizzy dhe Lil Coli. Pikërisht ata janë shpallur fituesit e çmimit të Internetit në këtë finale të madhe. Finalistët e “Big Brother Albania 3”, Miri, Klodi, Erioni e Domenika, janë ngjitur në skenë dhe kanë dhënë çmimin për “Artisten më të Mirë Femër”, të cilin e ka fituar këngëtarja Besa Kokëdhima. “është gjithnjë kënaqësi të kthehesh në ‘Top Fest’”, është shprehur këngëtarja. Menjëherë pas tij është lajmëruar për çmimin “Artisti më i Mirë Mashkull”, çmimi që i ka shkuar këngëtarit Valon Shehu. Të rinjtë e grupit XXL janë vlerësuar me çmimin “Artisti i Ri më i Mirë”. Këngëtari Xuxi është ngjitur në skenë për të dhënë çmimin “Kënga më e Mirë Pop&Rock”, e cila është fituar prej këngëtares Kamela, që ka marrë trofeun e saj mes emocionesh të mëdha. Mariza Ikonomi është shpallur fituesja e çmimit “Interpretuesi më i Mirë”, ndërsa me çmimin “Grupi më i Mirë” është vlerësuar “Troja”. Mes duartrokitjesh nga publiku në sallë, fituesja e kësaj nate finale është shpallur këngëtarja Eneida Tarifa me këngën e titulluar “Me veten”. Jo vetëm publiku përmes televotimit, por edhe juria profesioniste e “Top Fest”, e përbërë nga kryetari Alban Dudushi dhe anëtarët Arbana Osmani, Alban Nimami, Xuxi dhe Alban Skënderaj kanë vlerësuar dhe kanë dhënë vlerësimin e tyre për këngën fituese të këtij edicioni. Nëntëmbëdhjetë finalistët që u ngjitën në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve kanë falur mjaft emocione dhe spektakël jo vetëm për publikun nga salla, por edhe për ata që i kanë ndjekur nga shtëpia përmes ekranit të televizionit. Kjo, sepse “Top Channel” ka vënë në dispozicion kapacitetin më të madh teknik për këtë edicion. Festivali është xhiruar dhe është transmetuar në full High Definition 2 në kanalin 3. Ky spektakël, ka ardhur i kompletuar në të gjithë elementet artistike. Organizatorët kanë punuar që çdo këngë të jetë një performancë më vete, duke nisur nga grafika, ndriçimi, baletet, efektet speciale. “Top Fest 7” ka qenë jo vetëm një spektakël i këngës, por siç ishte bërë i ditur më parë, edhe një spektakël i imazhit. Përmes një skenografie të realizuar me teknologjinë më moderne nga Fatmir Minga, ku ndriçimi ishte kombinuar më së miri me çdo detaj tjetër të skenës, ashtu sikundër edhe një ‘led wall’ i madh, i cili shoqëronte përmes imazheve e shkrimeve këngëtarin në skenë. Regjisori Ergys Lubonja, por edhe Dorian Gjoni, drejtori artistik i këtij festivali, janë kujdesur që gjithçka të shkojë më së miri deri në detaje gjatë natës finale të “Top Fest”. Edicioni i shtatë i “Top Fest” nisi në muajin shkurt me pjesëmarrjen e 130 këngëtarëve dhe grupeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Kështu përfundoi mbrëmjen e djeshme ky “Top Fest 7” me premtimin që edhe edicionin e ardhshëm nuk do të mungojnë surprizat dhe emocionet e mbi të gjitha cilësia.
#