Përplasje mes komunës dhe bashkisë për pronësinë mbi zonën
Zhvillimi i pikës turistike të Byshekut, një nga tri pikat turistike të qytetit të Elbasanit, po mbahet “peng” nga 50 pretendentë për pronësinë. Mes bukurive të rralla natyrore, kjo pikë turistike mbetet joshëse për freskinë mes maleve të fshatit Shushicë, mes gjelbërimit dhe gurgullimave të ujit që rrjedh nga një kodër shkëmbore. Kjo zonë shpeshherë është bërë burim konflikti mes dy njësive vendore, komunës së Shushicës dhe Bashkisë së qytetit të Elbasanit. Ndërsa komuna pretendon se Bysheku, me të gjitha resurset e tij, mbetet historikisht pronë autoktone e Shushicës, Bashkia e Elbasanit pretendon se ajo është pronë e qytetarëve elbasanas. Madje këta të fundit numërohen të jenë rreth 50 të tillë, që e kanë lënë Byshekun jashtë çdo investimi komunar apo privat. Edhe një godinë turistike, e ndërtuar në kufijtë kohorë të ndërrimit të sistemeve politikë, është gati drejt degradimit, për shkak të agjentëve atmosferikë e pretendimeve të pronësisë mbi truallin. Pretendimet e tjera vijojnë me sipërfaqen e tokës së gjelbër, madje edhe për burimin e ujit që del nga kodra shkëmbore, në të cilën është ndërtuar edhe një shtëpi pa leje. Të vetmit që përpiqen t’i japin Byshekut tjetër pamje, mbeten dy qiraxhinj, që edhe pse nuk kanë vizitore shpresojnë të fitojnë klientë me ca investime modeste. Në gjendjen siç është katandisur, ajo duket se po shkon drejt shkatërrimit. Mungesa totale e infrastrukturës e ka bërë Bushekun që, edhe pse është fare pranë qytetit, të mbetet shumë larg për pushuesit. Ndërkohë që odiseja e gjyqeve mes pretenduesve për pronësinë ka vite që vazhdon, e ardhmja e pikës turistike po mbetet në mëshirë të fatit.
#