E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana e ëmbël e historisë

Muzeu i Çokollatës në Keln ofron një koleksion unik të kësaj delikatese. Aty mund të përjetohet udhëtimi treshekullor i çokollatës, që nga ushqimi hyjnor i actekëve e deri te prodhimi i sotëm industrial. Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 08:45

“Nuk kam nevojë të kujdesem për vijën e trupit, madje as që jam kujdesur ndonjëherë. Kjo që po shihni tek unë është rezultat i kënaqjes me çokollatë”. Kështu e përshkroi njëherë aktorja e famshme, Katharine Hepburn raportin e saj me çokollatën. Megjithëse nuk jemi të gjithë të privilegjuar që të kemi një trup si të saj, një gjë është e sigurt: çokollata të gjithëve na bën të lumtur. Se është kjo shkaku i përbërësve të saj apo për faktin se çokollata është jashtëzakonisht e shijshme, kjo nuk ka rëndësi. Sepse, ajo është një prej delikatesave më të preferuara në botë.
Në qytetin gjerman, Keln, ekziston një botë e tërë e çokollatës. Hans Imhof, ish-drejtor i koncernit të madh ushqimor gjerman Stollwerck, në vitin 1993 ia plotësoi vetes dëshirën e tij shumëvjeçare dhe për 53 milionë marka të atëhershme gjermane hapi një muze të pazakontë, në të cilin gjithçka sillet rreth çokollatës.

Si bëhet çokollata

Vizitori i muzeut mund të kënaqet me ekspozitën e pazakontë trekatëshe për historinë çokollatës. Udhëtimi fillon nga druri i kakaos, emri botanik i të cilit është Theobroma Cacao (që në greqisht do të thotë Ushqimi i Zotave). Aty ju pret përgjigja në pyetjen se si bëhet kakao dh se si duket rruga e tij deri përbërësi final i çokollatës. Posaçërisht interesante është e ashtuquajtura shtëpi tropikale, njëlloj sere kjo ku mund të shihet druri origjinal i kakaos, por edhe të përjetohet klima e vërtetë tropikale - në plotë kuptimin e fjalës.
Rrugëtimi pastaj vazhdon drejt pajisjeve të prodhimit – më saktësisht, deri tek prodhuesi zviceran i çokollatës Lindt & Schüngli, i cili që nga viti 2006 është partner i Muzeut të Çokollatës. Me fjalë tjera, brenda një hapësire relativisht të vogël është vendosur një fabrikë e vogël e çokollatës. Vizitorët mund të përjetojnë aty gjithë procesin e prodhimit, meqë të gjitha makinat janë të rrethuara vetëm me korniza të tejdukshme.
Por, atraksioni kryesor i muzeut është ‘fontana e çokollatës’, tri metra e lartë. Afër saj gjithmonë qëndron një punonjëse e muzeut, e cila i lyen biskuitët në çokollatë, dhe ata pastaj ua shpërndanë vizitorëve. Çdokush mund të llogaris se do të marrë nga një biskuit të përgatitur me çokollatë, ndonëse punonjësit e muzeut nuk do të shqetësohen shumë edhe nëse vërejnë se ndonjëri nga vizitorët ‘humbet’ rrugën dhe shfaqet disa herë para fontanës së çokollatës.
Deri më 31 tetor 2008, kur u kremtua 15-vjetori i ekzistencës, muzeun e çokollatës e vizituan afro 7.5 milionë njerëz. Brenda viti ky muze mesatarisht vizitohet nga 650,000 njerëz, kështu që Muzeu i Çokollatës radhitet në mesin e dhjetë muzeve më të vizituar në Gjermani.

Fillet e kënaqësisë së ëmbël

Në katin e dytë të muzeut vizitorët mund të kuptojnë më shumë për fillet e historisë kulturore të çokollatës, para 3,00 viteve në Mezo-Amerikë (që i bie tërë Meksikoja e sotme, e deri tek Kostarika verilindore). Populli që kakaon e shfrytëzoi i pari, dhe që nga ai përgatiti njëlloj çokollate të lëngët, ishte popullata e moçme indigjene Olmeki.
Më vonë, këtë gjë e bënë edhe fiset Maya dhe Acteka. Pas zbulimit të Amerikës, spanjollët e sollën kakaon edhe në Kontinentin e Vjetër. Edhe pse fillimisht përfaqësonte një prodhim luksoz, i cili shfrytëzohej vetëm nëpër pallate mbretërore evropiane dhe nga familjet aristokrate të kohës, me kalimin e kohës kakao u shndërrua në një prodhim në të cilin kishin qasje të gjithë. Sot pothuajse s’mund të paramendohet një amvisëri pa çokollatë.
Në katin e tretë, ndërkaq, gjithçka sikur vlon nga kult-prodhimet nga çokollata. Duke filluar që nga vezët e çokollatës, e deri tek çokollata me mbështjellës ngjyrë rozë, në të cilën shihet lopa më e njohur në botë ‘Milka. Në Muzeun e Çokollatës, gjegjësisht në kinemanë e vogël të tij, shfaqen reklamat e prodhimeve nga çokollata. Të gjithë filmat reklamues, që nga viti 1926 e deri më sot, dëshmojnë se si ndryshoi moda, por jo edhe shpirti i kohës. Megjithëse, një gjë mbeti gjithnjë e njëjtë. Çokollata, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet delikatesa më e preferuar në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›