E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelja në Shtëpinë e Bardhë

Michelle Obama po refuzon të jetë “kukull” e elitës politike në Washington. Ajo përcakton vetë se ku dëshiron të përqendrojë më shumë energjinë e saj. Të gjitha këto gjëra duhet të ndryshojnë, në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale në vitin 2012. Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 08:18

Gruaja më e famshme e botës në mënyrë të vazhdueshme çudit të gjithë reporterët, duke pretenduar se bën një jetë "normale". Fshehur prapa një kapele bejsbolli, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, bën pazar në dyqanet e lira të Tyson Corner, bashkë me mikeshat e saj, blen aksesorë për qenin tek Petco me kartën e saj të kreditit dhe darkon nëpër restorantet më pak të famshme të Washingtonit. Daljet e saj janë aq të fshehta, sa që kur ylli i hokejit, Alex Ovechkin, publikoi në prill një foto në Tweeter, ku shfaqej ai së bashku me zonjën e parë, të gjithë organizatat mediatike ishin të bindura se bëhej fjalë për një fotomontazh.

Michelle Obama e ka hequr markën e vendosur nga posti i saj, madje e ka kthyer Washingtonin me kokë poshtë. Është betuar, se Shtëpia e Bardhë nuk do ta burgoste, se media nuk do të ishte pronare e jetës së saj private dhe se nuk do të sillej sipas pritshmërisë së jashtme.

Të gjithë e dinin se ajo do të ishte një lloj zonje e parë ndryshe, një përcaktuese mode dhe trendi. Por, askush nuk do ta kishte menduar që në kohën e zgjedhjeve ajo do të deklaronte se do të punonte vetëm dy ose tre ditë në javë, se do të zgjidhte nja dy çështje politikisht të thjeshta dhe të rehatshme dhe se do të qëndronte shumë larg shkëlqimit dhe vëmendjes politike. Rezultati është një errësirë totale, të cilën disa e quajnë zhgënjyese.

Por a është me të vërtetë ashtu? Ajo çfarë media nuk e ka kuptuar është se Michelle Obama në fakt e ka transformuar punën e saj sipas kushteve më të volitshme për të. Ajo ndoshta ka zhgënjyer sallonin Geogetown me një indiferentizëm të madh ndaj traditës sociale dhe mund të ketë mërzitur gratë e vjetra të politikës, duke mos i frekuentuar.

Por, nga ana tjetër ajo ka prekur thellë një shtresë tjetër të Washingtonit, siç janë komuniteti me ngjyrë, studentët e rinj dhe shumë shtresa të tjera, duke i ofruar atyre shpresë dhe ëndrra. Këtë muaj, ajo ka planifikuar një udhëtim tjetër zyrtar për në Afrikën e Jugut dhe Botsvana, për ta zgjeruar më tej përkushtimin e saj ndaj studentëve dhe liderëve të rinj, edukimit dhe mirëqenies. Me pak fjalë, Michelle Obama ka gjetur një mënyrë për të udhëtuar së bashku me flluskën e saj, ndërkohë që ruan pasionet dhe jetën e saj.

Por bota e saj e formësuar me kujdes, në Pennsylvania Avenue 1600, me gjasë do të sfidohet sërish. Bashkëshorti i saj po hyn në garën për rizgjedhje, në kohën kur po përballet me vështirësi ekonomike dhe në kohën kur republikanët kanë grumbulluar energji të re, pas suksesit të arritur në zgjedhjet e mes-afatit vitin e kaluar.

Barack Obamës do t’i nevojitet çdo grimcë e fuqisë prej ylli të bashkëshortes së tij-ajo është për 20 për qind më e popullarizuar në anketa se bashkëshorti i saj-për t’u rizgjedhur president. Edhe pse ka edhe disa muaj deri në fillim të fushatës, Michelle Obama ka filluar udhëtimet nëpër Amerikë, me qëllim të tubimit të fondeve.

Ajo sërish duhet të angazhohet në punën, të cilën e urren më së shumti, pra në fushatë, por posa ajo angazhohet, atëherë ajo i kalon të gjithë.

“Ajo gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht efikase, ngase pa marrë parasysh se ku jeton, apo prej nga vjen, gjithmonë mund të mbështetesh tek ajo”, thotë zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Cutter, e cila ka bashkëpunuar me Michellen në vitin 2008.

Pas suksesit të madh që pati gjatë fushatës në vitin 2008, Michelle la gojëhapur elitën, pas deklaratës se saj se do të kufizojë paraqitjet publike, me qëllim që t’i përkushtohet familjes. Strategët e presidentit kanë theksuar se do të kishin dëshiruar që ajo të kishte qenë më angazhuar në politikë gjatë dy viteve të kaluara, por theksuan se ajo nuk është një njeri, që lejon të ndikohet,.

Në ndërkohë, aleatët dhe këshilltarët kanë nxitur personelin e Michelles që të angazhohet përtej dy çështjeve më të rëndësishme për të-kujdesin për fëmijët dhe ndihmat për familjet e ushtarëve-me qëllim që të ngritë profilin e saj.

Duket se ajo ka pranuar disa prej këtyre këshillave, pasi që më 21 qershor do të vizitojë Afrikën.

Personeli i Zonjës së Parë e di se nuk duhet ta ngarkojë orarin e saj me gjëra, të cilat nuk i shërbejnë një agjende më të gjerë strategjike. “Cili është qëllimi?”, pyet ajo shpesh bashkëpunëtorët, kur para saj paraqitet ndonjë propozim. Po sa të pranojë ndonjë orar, ajo kalon orë, e ndoshta edhe ditë të tëra, për t’u përgatitur për paraqitjet e saj.

Jeta sociale e Michelle në pjesën më të madhe është përqendruar përreth shoqeve të saj të ngushta, si Jocelyn Frye, me të cilën është takuar në Harvard dhe e cila tani punon në Shtëpinë e Bardhë, Angela Acree, shoqe e saj e klasës nga Princetone dhe Sharone Malone, bashkëshortja e prokurorit të përgjithshëm të SHBA-së, Eric Holder.

Që nga fillimi, Michelle duket se ka synuar të minimizojë kredencialet e saj. Si avokate e edukuar në Princeton dhe Harvard, ajo në vazhdimësi ka theksuar se së pari është një nënë, e cila përkujdeset për fëmijët e saj, pas zgjedhjes së Obamës për president.

Ngurrimi i Michelle që të zgjerojë qarkun e saj të brendshëm ndoshta ndërlidhet me ditët e para të fushatës në vitin 2008, kur kundërshtarët e portretuan si jo-patriotike dhe si një karikature të një femre të hidhëruar me ngjyrë. (Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›