Ana, më 3 maj në teatrin Dodona të Prishtinës
Në vijim të shfaqjes së saj para publikut ajo në datën 3 maj do të ngjitet në skenën e teatrit Dodona në Prishtinë. Vepra është përzgjedhur që të jetë pjesëmarrëse në festivalin teatror, që do të zhvillohet nga data 29 prill deri më 5 maj. Në këtë festival gjithashtu janë të ftuar të marrin pjesë dhe trupa teatrore nga Maqedonia. Komedia gri është shkruar nga dramaturgu i njohur italian Angelo Longoni, me titullin origjinal Uomini senza donne. Kjo vepër përcjell një gërshetim të natyrshëm të humorit me realitetin. Ngjarjet në këtë komedi vendosen në një apartament, ku në të jetojnë dy miq në moshë të mesme, ku njëri është muzikant saksofonist dhe tjetri është një regjisor marketingu. Nëpërmjet marrëdhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament, ku ata të dy bashkëjetojnë zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor i dy personazheve. Komedia Ana, e cila erdhi nën interpretimin e dy aktorëve Romir Zalla e Marin Orhanasit dhe më skenografi dhe kostumografi të Ilir Martinit, u shfaq dhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Regjisori Alfred Trebicka tregon pse përzgjodhi këtë pjesë për skenën shqiptare dhe si adaptohet në realitetin skenik vepra e dramaturgut italian Longoni tek publiku shqiptar. Vepra origjinale apo komedia gri e thënë ndryshe, që ne e kemi shqipëruar Ana, por titullin origjinal e ka Uomini senza donne e autorit italian Angelo Longoni, e cila erdhi në Akademinë e Arteve titulli origjinal i saj është Burra pa gra dhe vetë subjekti i kësaj komedie është i tillë, theksoi regjisori Trebicka. Sa i takon subjektit të veprës, më tej ai tregon se: Janë dy miq që bashkëjetojnë në një apartament në një moshë të mesme, një muzikant saksofonist dhe një regjisor reklamash. Nëpërmjet marrëdhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor. Sa i takon dramaturgut të njohur italian, unë mund të them që autori ka një njohje jashtëzakonisht të mirë të kontekstit, qoftë antropologjik të qenies qoftë social të qenies. Angelo Longoni është gjithashtu dhe një njohës shumë i mirë i dialogut të strukturës dramaturgjike, dhe të gjitha këto elementë e bëjnë veprën e tij që ajo të jetë e niveleve të larta dramaturgjike. Sipas regjisorit Trebicka, vepra në Shqipëri vjen pak me vonesë, pasi ajo është shkruar gati 15 vjet më përpara. Megjithatë nuk është ndonjë problem i madh, e rëndësishme është se duke qenë një mentalitet apo një mendësi italiane, them se është afër mendësisë tonë afër mentalitetit tonë. Vepra ka karakter edhe psikologjik brenda, jo pa qëllim autori e ka etiketuar si një komedi gri dhe jo një komedi e formatit klasik, cilëson ai.
Last Updated on E Premte, 23 Prill 2010 20:17