E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ana tjetër” e Alketës

Një ekspozitë tërheqëse, bashkëkohore e fokusuar më shumë në ide dhe koncept, e cila demaskon thelbin e gruas apo, thënë më mirë, botën e pambrojtur të gruas, ishte nikoqire të premten mbrëma në Muzeun e Kosovës në Prishtinë.

Artistja e re, Alketa Xhafa, këtë ekspozitë e ka titulluar “Ana tjetër e vetes” dhe këtë anë tjetër të vetes ne e shohim si një ballafaqim modern të situatës momentale në Kosovë dhe artistja përmes veglave moderne: videove, fotografive, instilacioneve, pasqyron në thelb probleme tejet të mëdha të kohës.

Vlen të veçohet videoja “Baba dhe unë”, ku në të artistja zhvillon një dialog konfrontues me babain e saj, Xhevdet Xhafën. Përmes telefonit, artistja i tregon babait se është ftuar të marrë pjesë në një ekspozitë në Beograd, por babai i zhgënjyer nga kjo ofertë, refuzon një pjesëmarrje të tillë, për shkak të rrethanave më të hershme të kohës në Kosovë. Artisja bindshëm tregon ofertën, pa asnjë hezitim dhe përjetimi i saj ndaj kësaj situate është tejet real, tamam si një aktore e filmit, po ashtu edhe babai, i cili flet duke lëvizur vazhdimisht prej një vendi në vendin tjetër, na shfaq një lloj aktrimi, mimika e tij është tejet bindëse ndaj zhvillimit të dialogut. Asnjëherë nuk bëhet false, situata përjetohet dhe duket sikur të dy personazhet nuk xhirohen, por në të vërtetë ata janë të vetëdijshëm në çdo moment të kësaj situate konflikti. Aktrimi i tyre nuk na vjen thjesht si role, por përjetim real i momenteve të caktuara. Lirisht mund të them se një gjetje e tillë e Xhafës dhe realizmi i saj, po ta fillosh ta vështrosh nga fillimi, të mban në një tension deri në fund të ngjarjes dhe fundi i këtij dialogu përfundon më Jo-në e madhe të babait. Çka prek në thelb artistja me këtë? Ajo na sjell në dritë dy breza, brezin e ri dhe brezin e vjetër. Brezi i ri na vjen më universal, më shoqërues, më inkuadrues, kurse i vjetri këmbëngulës dhe rikujtues i së kaluarës dhe fitorja është në duart e brezit të vjetër.

Ndërkaq, në videon tjetër “Ai dhe unë” ku ikona e Titos na paraqitet në një fotografi bardh e zi dhe pranë tij qëndron një grua e re, në distancë dy metra prej fotografisë. Si duket artistja rikujton këtë ikonë të Titos, i cili është i pranishëm në mendjet e të vjetërve. Ajo grua e re, e cila mban shikim tek fotoja e Titos, me epshin e saj, duket sikur e thërret apo kërkon diçka nga ai dhe ajo diçka është mjaft e mistershme. Ndërsa, në punimin “Sofra”, artistja na rrëfen për shumë karaktere njerëzish të cilët mblidhen rreth sofrës dhe me vete bartin mendime egoiste, xheloze, gënjeshtare, kundërshtare, vetjake dhe koprracie. Por, të gjitha këto karaktere ushqen nga e njëjta sofër, por me mendime të kundërta. Andaj, si për fund dua të them se ekspozita e Xhafës ishte tejet mbresëlënëse, me plot ide dhe koncept, e pranuar dhe e vlerësuar mirë, e qëlluar në shumë fusha, dhe me një estetikë të pranuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›