E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e sekuestruara nga policia, së shpejti në ankand

Në vitet e fundit janë qindra makina të tipave të fundit dhe luksoze, të cilat janë sekuestruar. Disa prej tyre kanë kaluar në përdorim nga institucionet, ndërsa të tjerat qëndrojnë brenda mjediseve të komisariateve dhe në parkingje me pagesë

Të gjitha makinat e sekuestruara nga policia do të nxirren në ankand për t’u shitur. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, tashmë është gati një udhëzim nga Ministria e Brendshme, i cili tregon se automjetet të cilat qëndrojnë të bllokuara në mjediset e komisariateve të vendit do të hidhen në treg. Që prej vitit 1992 ka një numër të madh automjetesh që janë bllokuar dhe që nuk janë tërhequr më nga pronarët e tyre. Ndërkohë që në vitet e fundit janë qindra makina të tipave të fundit dhe luksoze, të cilat janë sekuestruar. Disa prej tyre kanë kaluar në përdorim nga institucionet, ndërsa disa të tjera qëndrojnë brenda mjediseve të komisariateve dhe në parkingje me pagesë. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, është vendosur që brenda një kohe mjaft të shkurtër, të kryhet edhe ankandi për makinat e sekuestruara. Pasi të blihet makina, shtojnë burimet, një pjesë e parave do të mbahet nga shteti, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i kalojë pronarit. Shteti do të mbajë vetëm shumën e parave që ka shpenzuar për të mbajtur automjetin e bllokuar në parkim. Vlera e parkimit të një dite për një automjet është 500 lekë. Kështu, do të llogaritet shuma që duhet të paguhet për të gjitha ditët që mjeti është bllokuar, ndërsa kjo shumë do të zbritet nga vlera totale e shitjes. Ndërsa, diferenca e mbetur do t’i kalojë pronarit të mjetit. Që prej 17 vitesh, Policia Rrugore u ka bllokuar qindra automjete përdoruesve të cilët nuk kishin dokumentacionin e kërkuar nga ligji për të qarkulluar me të. Një pjesë e mjeteve të bllokuara janë shitur dhe përdorur për skrap, ndërkohë që ka shumë makina të tjera që janë marrë në përdorim nga institucionet. Përveç këtyre të fundit, ka edhe automjete të cilat kanë mbetur të bllokuara në parkim. Masat e fundit të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si dhe nga policitë e rretheve ndaj drejtuesve të mjeteve me shkelje administrative shtuan numrin e mjeteve të bllokuara, si dhe risollën edhe vëmendjen e problemit të mungesës së hapësirës, si pasojë e shtimit të mjeteve të bllokuara. Makinat janë sekuestruar për mungesë dokumentacionesh ose për dokumente të falsifikuara. Këto automjete, për shkak të gjobës, rezultojnë të mos jenë tërhequr nga pronarët, ndaj dhe për vite të tëra kanë zënë parkingjet e posaçme për makina të sekuestruara. Ndërkohë që me udhëzimin e ri ato do të hidhen sërish në rrugët e Shqipërisë, por tani duket se do të kenë një tjetër pronar, nëse pronari i vërtetë nuk do të ketë para për të blerë makinë e tij dhe të zbresë shumën e paguar për parkimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›